Dy astronautë të ngecur në hapësirë prej më shumë se 9 muajsh kanë lënë Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor dhe po kthehen në Tokë. Udhëtimi i tyre zgjat 17 orë, raporton Sky News.
Butch Wilmore dhe Suni Williams mbërritën në Stacion më 5 qershor dhe duhet të qëndronin atje për 8 ditë.
Ata po testonin Starliner, anijen kozmike të Boeing që është dizenjuar për të konkurruar me Crew Dragon nga SpaceX. Por në momentin që u ul në Stacion, Starliner pësoi dëme të rënda, 5 rrjedhje heliumi, 5 leva të prishura dhe një valvul që nuk mbyllej plotësisht. Anija u kthye në Tokë pa astronautët sepse u vendos që do të ishte më e sigurt nëse do të qëndronin në hapësirë.
Që nga ai moment, dy veteranët e marinës amerikane kanë realizuar ekspedita, eksperimente dhe kanë ndihmuar në riparimin e tubacioneve. Astronautët janë shprehur vazhdimisht se u ka pëlqyer ky mision, madje Williams e ka përshkruar Stacionin Hapësinor si “vendin e lumturisë”.
“Çdo ditë është interesante sepse jemi lart në hapësirë dhe është shumë qejf”, është shprehur ajo edhe pse më pas shtoi se pritja do të ketë qenë e vështirë për familjarët.
Anija e SpaceX që do t’i kthejë në Tokë mbërriti në Stacion në shtator, bashkë me Nick Hague dhe Aleksandr Gorbunov si dhe dy sedilje bosh.
Ekipi që do t’i zëvendësojë mbërriti të dielën. Ekuipazhi do të zbresë në bregun e Floridës në orën 10 lokale.