Mëngjesin e kësaj të marte më 2 qershor, kryeministri Edi Rama e ka nisur me një reagim sa i takon çështjes së Zvërnecit, për të cilën ditën e djeshme u protestua për të dytën ditë radhazi në kryeqytet.
Kreu i qeverisë ka ndarë në Facebook pamjet nga Costa Navarino në Greqi, duke thënë se edhe projekti atje ishte kundërshtuar fillimisht, ndërsa sot është një nga destinacionet turistike më prestigjioze të Europës.
“Sa më e madhe ëndrra aq më i madh paragjykimi i tyre, sa më ambicioz projekti, aq më e madhe katastrofa e paralajmëruar, sa më i madh ndërtimi aq më i llahtarshëm përgojimi i atyre që ndërtojnë.
Ndodhi në Greqi. Me Costa Navarinon.
Para se të ndërtohej, u tha se po vinte fundi i botës. U tha se do të shkatërrohej natyra. U tha se do të zhdukej biodiversiteti. U tha se fushat e golfit do të pinin ujin e brezave që do të vinin dhe Messinia do të kthehej në shkretëtirë. U tha se një nga peizazhet më të bukura të Mesdheut do të varrosej nën pushtimin e betonit.
Peticione. Protesta. Kundërshti. Debate. Parashikime apokaliptike.
Me pak fjalë, repertori i zakonshëm i atyre që e kanë më të lehtë të venë kujën për fundin e një vendi, sesa për transformimin e tij.
Por në fund projekti u ndërtua.
Dhe sot?
Sot Messinia nuk është simbol i katastrofës. Është simbol i transformimit të një ëndrre të bukur në një realitet mbresëlënës, falë një projekti shumë ambicioz. Një nga destinacionet turistike më prestigjioze të Europës. Një rajon i vendosur si një perlë e rrallë në kurorën e turizmit botëror.”, shkruan Rama, duke shtuar se Costa Navarino ka sjellë për Greqinë, mijëra vende pune të mirëpaguara dhe ka gjeneruar miliarda euro për ekonominë.





