Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti do të takohet ditën e sotme me emisarin e Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Takimi mes tyre do të mbahet rreth orës 10:00, në zyrën e Kurtit, ndërsa tema që do të diskutojnë do të jetë situata e tensionuar në veri të Kosovës.

Kujtojmë se më 26 maj, kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, me asistimin e Policisë së Kosovës hynë në ndërtesat komunale, për të nisur punën, pasi një ditë më parë bënë betimin në shkolla dhe ndërtesa të tjera komunale. Hyrja e tyre në zyrat e komunave u kundërshtua nga grupe të serbëve lokalë. Policia e Kosovës ndërhyri duke përdorur gaz lotsjellës dhe shok-bomba, ndërkaq serbët lokalë hodhën gurë në drejtim të tyre.

Të paktën pesë policë pësuan lëndime. Faktori ndërkombëtar, në krye me Shtetet e Bashkuara, dënuan veprimet e Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar që menjëherë të ulen tensionet.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se i kupton shqetësimet e partnerëve ndërkombëtarë, megjithatë, sipas tij, çdo opsion tjetër “do të ishte mospërmbushje e obligimeve kushtetuese të Qeverisë sonë ndaj kryetarëve të rinj”.
Ndërkaq, misioni paqeruajtës i NATO-s në Kosovës, KFOR, tha më 26 maj se situata e krijuar “është jashtëzakonisht e rrezikshme për procesin e normalizimit [të marrëdhënieve Kosovë-Serbi” dhe se “rrezikon përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve”.

KFOR dënoi “aktet e njëanshme”, teksa u bëri thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna.
Në katër komunat në veri të Kosovës, në zgjedhjet e 23 prillit u zgjodhën katër kryetarë të rinj shqiptarë, pasi në këto zgjedhje të jashtëzakonshme nuk morën pjesë partitë serbe.

Zgjedhjet u mbajtën pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar. Pjesëmarrja në zgjedhjet e prillit ishte 3.47 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe. Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj.