Pas apelit të dhenë në portalin “DurrësLajm” nga familja Dynisha, prej 8 anëtarësh, banues në ish-Kënetë në Durrës, ka reaguar shoqata “ Fundjava Ndryshe” në Durrës.

Të rinjtë, djem e vajza vullnetarë, kanë dërguar në shtëpinë e familjes ushqime, veshje, lodra e gjithçka tjetër që kanë siguruar vullnetarisht. Të paktën për një ditë në sytë e familjes së varfër e pa të ardhura është kthyer buzëqeshja.  

Vogëlushja nëntëvjeçare Paulina, është bërë me çantë të re për në shkollë, me bazë materiale, lodra e kukulla, që aq shumë, nuk ishin parë asnjëherë së bashku me vëllezërit e saj.  

Prindërit e 6 fëmijëve falënderojnë ndihmat e mbërritura nga “Fundjava Ndryshe”, por ata sërish apelojnë për të siguruar një vend pune. Nëna Fitore Dynisha, thotë se mori borxhe për t’i nisur fëmijët në shkollë, ndërsa kryefamiljari Kujtimi, thotë se një vend pune do të mundësonte ushqimi e fëmijëve.

Të rinjtë e “Fundjavës Ndryshe” menjëherë pas apelit të dhënë në “DurrësLajm”, ndërmorën nismën vullnetarisht me qytetarët durrsakë, duke grumbulluar pako me ushqime, veshmbathje, sende shkollorë, lodra për fëmijë e gjithçka tjetër që i duhet një familjeje.

Në fillim të vitit të ri shkollor këtë javë, Paulina ngriti apelin e mungesës së librave të shkollës dhe mjeteve të punës. Familja e saj Dynisha prej 8 antëtarësh, jeton në varfëri ekstreme, pasi të dy prindërit kanë tentuar shumë herë të kërkojnë punë, por pa sukses. Çdo ndihmë e dhënë nga çdo person apo biznes, për këtë familje do të thotë shumë.

K.H.