Anëtari i kryesisë së Partisë Demokratike Arben Ristani ka denoncuar projektin e portit të Durrësit duke e cilësuar atë një megaaferë të qeverisë Rama.

Ristani u shpreh në një deklaratë nga selia blu se ajo fillimisht u paraqit si investim i Emirateve të Bashkuara ndërsa sipas tij më pas janë prezantuar dy kompani që supozohet të qëndrojnë pas saj.

“Megafera e portit të Durrësit ka vetëm një qëllim, vjedhjen. Ja faktet që provojnë se përse qeveria kërkon të zhvasë pasurinë publike, asetin dhe pronën e shtetit shqiptar dhe qytetarëve të Durrësit”, tha Ristani, duke publikuar tre fazat në të cilat ka kaluar ky projekt i vjedhjes nga qeveria.

DEKLARATA:

Edi Rama i është rikthyer megaaferës së projektit të Portit të Durrësit, duke dëshmuar se askush nuk mund t’ia ndalë dorën në vesin e vjedhjes.

Megafera e portit të Durrësit ka kaluar në tri faza:

Në fillim u paraqit si një investim strategjik i kompanisë së famshme Nga Emiratet e Bashkuara Arabe, “Emmar”.

Më pas, u fol për një tërheqje të Emaar-it dhe, në fund, u prezantua një kompani tjetër, kësaj radhe offshore, e arabit Muhamed el Alabbar.

E vetmja gjë, strategjike e këtij investimi, është strategjia e zhvatjes së pasurive publike dhe vjedhjes, me kuç e me maç, të pronave të patundshme të Republikës së Shqipërisë.

Porti i Durrësit është një projekt jashtë çdo procedure dhe jashtë çdo standardi ndërkombëtar.

Fakti është, se rreth 1 milion metra katror i jepen një investitori që pritet të investojë 2 miliard dollarë, kur vetëm vlera e tokës, është pothuaj dyfishi.

Fakti tjetër është se planifikohet zhvendosja e portit më të madh të vendit, një lëvizje me implikime jo vetëm ekonomike, por edhe të sigurisë.

Fakti i pashmangshëm është, se një vend në negociata anëtarësimi si Shqipëria, duhet t’i kodifikojë vendimet me strukturat e BE.

Ne i bëjmë thirrje kompanisë, cilado qoftë ajo, online apo offshore, që të tërhiqet nga ky projekt abuziv dhe korruptiv.

Qeveritë e një vendi janë të përkohshme, ndërsa interesat strategjike, prona publike, interesi kombëtar janë të përjetshëm.

U bëjmë gjithashtu thirrje qytetarëve që të mos blejnë asnjë centimetër në këtë hapësirë.

Kjo është një aferë personale e Ramës dhe klanit të tij. Një skotë që prej 9 vitesh i trajton pasuritë publike, nga Tirana në Breg dhe nga Butrinti në Durrës, si kopshtin privat të familjes.

Porti i Durrësit është pasuri publike, aset kombëtar, pronë e shteti shqiptar dhe e qytetarëve të Durrësit, jo e kardashianëve të pushtetit.