Partia Demokratike ka bërë gati paketën me ligjet për integrimin evropian të Shqipërisë.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka dhënë detaje nga nisma me paketën e re ligjore, ku për herë të parë selia blu ka përfshirë edhe 4 kërkesa të protestuesve, që tashmë prej gati një jave kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama.
Sipas Bardhit, paketa e parë për zbatimin e kushteve për integrimin, nis me ligjin që simbolizon më shumë se çdo ligj tjetër modelin e favorizimeve, mungesën e konkurrencës dhe zhdukjen e interesit publik: shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike.
Bardhi thekson se ky është edhe një rast që Edi Rama të bëjë një hap përpara, duke u dorëhequr, dhe nga ana tjetër të mos pengojë mazhorancën të mbështesë këto nisma.
DEKLARATË E KRYETARIT TË GRUPIT PARLAMENTAR TË PD, GAZMENT BARDHI:
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka gati paketën e parë të nismave për plotësimin e disa prej kushteve që Bashkimi Europian i ka vendosur Shqipërisë në procesin e anëtarësimit.
Paketa jonë e parë për zbatimin e këtyre kushteve fillon me ligjin që simbolizon më shumë se çdo ligj tjetër modelin e favorizimeve, mungesën e konkurrencës dhe zhdukjen e interesit publik: shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike.
Ky nuk është një shqetësim i ri as për Bashkimin Europian dhe as për Partinë Demokratike.
Prej vitesh kemi kërkuar shfuqizimin e këtij ligji, sepse Edi Rama e ka përdorur atë për të shtrembëruar konkurrencën, për të cenuar të drejtën e pronës, për të penguar garën e ndershme dhe për të krijuar favore të padrejta për një grup të kufizuar përfituesish, pjesë e klientelës së tij politike dhe ekonomike.
Pikërisht për këtë arsye, ligji për investimet strategjike është kthyer në simbol të modelit ekonomik të Edi Ramës, një model i bazuar te favorizimi, korrupsioni dhe përdorimi i pushtetit në funksion të interesave private.
Sot vërej me kënaqësi se shfuqizimi i këtij ligji nuk është më vetëm një shqetësim i opozitës. Ai është kthyer edhe në një nga kërkesat kryesore të qytetarëve që po protestojnë.
Kjo nuk është rastësi.
Me qytetarët na bashkon i njëjti shqetësim për një model qeverisjeje që cenon pronën, dëmton zonat e mbrojtura, rrezikon trashëgiminë kulturore dhe vendos interesat e një grushti njerëzish mbi interesin publik.
Për këtë arsye, ne kemi vendosur të mos kufizohemi vetëm te nismat që lidhen me kushtet e Bashkimit Europian për anëtarësimin.
Fillojmë me shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike.
Por nuk ndalemi këtu.
Edi Rama ndryshoi ligjin për zonat e mbrojtura dy vite më parë. Partia Demokratike votoi kundër, sepse e dinim se qëllimi nuk ishte mbrojtja e natyrës, por hapja e rrugës për betonizimin e saj.
Për këtë arsye, kemi kërkuar edhe shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.
Po ashtu, do të kërkojmë shfuqizimin e Paketës së Maleve dhe të ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.
Të gjitha këto janë sot kërkesa të qytetarëve. Dhe të gjitha këto do të marrin formë konkrete në Parlament.
Ne do të bëjmë gjithçka për të çuar përpara interesin publik.
Ky është edhe një rast që Edi Rama të bëjë një hap përpara. Të mos pengojë mazhorancën të mbështesë këto nisma dhe, mbi të gjitha, të gjejë guximin të firmosë kërkesën e vetme që nuk mund ta depozitojmë ne në Parlament: Dorëheqjen e tij.





