Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka deklaroi sot se policia ka hedhur poshtë, sipas tij, gënjeshtrat e kryeministrit Edi Rama në lidhje me kultivimin e kanabisit, pasi Rama mohoi dje të ketë drogë në Dibër, e ndërsa sot policia njoftoi se ka asgjësuar 4780 rrënjë kanabis atje.
“Edi Rama deklaroi dje në Parlament se nuk ka drogë në Dibër. I erdhi në ndihmë edhe Damiani që tha se klima në Dibër nuk është e mirë për drogë. Unë e sfidova dje publikisht, i thashë hajde të tregoj arat me drogë në gjithë fshatrat e Dibrës. Rama sërish e mohoi dhe nuk iu përgjigj sfidës. Por, sot policia raporton në komunikatë zyrtare se në një aksion ka asgjësuar 4780 rrënjë kanabis në zonën e Balgjës e Selishtës në Dibër. Policia hedh poshtë kështu gënjeshtrat e Ramës”, tha Paloka.
“Sigurisht, këto janë ndërhyrje estetike, pasi arat e parcelat me drogë të shefit të komisariatit Robert Aga nuk i prek njeri. Ca bimë të shkulura nuk janë asgjë në krahasim me miliona rrënjë që kanë mbuluar Dibrën e gjithë vendin. Drogë masive që rritet nën kujdesin e qeverisë, paratë e të cilës u përdoren për të blerë edhe votën më 11 shtator. Çfarë do të thotë tani Edi Rama që u krekos dje në Parlament, e tha se s’ka drogë në Dibër? Çfarë do të thotë Rama kur zbulohet pistë avionësh për transport nga ajri të drogës, një kilometër e gjysmë e gjatë? Kush gënjen këtu? Çdo shqiptar e di se kanabisi ka pushtuar vendin. Çdo shqiptar e di se kanabisi është alternativa e vetme e Edi Ramës, është biznesi i tij kriminal që prodhon para të pista që përdoren për të blerë votat. Çdo shqiptar e di se droga nuk është e ardhmja e vendit, e ardhmja e fëmijëve tanë. Ndaj ky rrënim duhet ndalur sa më shpejt”, përfundoi Paloka.





