Ministri i Bujqësisë Andis Salla, prezantoi në Kuvend projektligjin “Për dëftesat tregtare mbi produktet bujqësore”, duke e cilësuar atë si një instrument të ri që synon të lehtësojë financimin e fermerëve dhe të krijojë më shumë siguri në marrëdhëniet mes aktorëve të sektorit bujqësor. Salla tha se ky projektligj i përgjigjet një nevoje konkrete të bujqësisë shqiptare, një sektor ku fermeri investon sot, ndërsa të ardhurat i siguron pas një periudhe të caktuar.

Sipas ministrit, me zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e cilësisë sipas standardeve europiane, bëhet e domosdoshme që marrëdhëniet mes fermerëve, grumbulluesve, përpunuesve dhe financuesve të bazohen në rregulla të qarta dhe transparente. Ministri shpjegoi se dëftesat tregtare do të krijojnë një sistem modern ku produkti bujqësor mund të ndiqet nga prodhimi deri në magazinim, duke i dhënë fermerit mundësi të reja për financim. Sipas tij, fermeri nuk do ta shohë më prodhimin vetëm si një burim të ardhurash, por edhe si një aset që mund të përdoret për të siguruar financim gjatë procesit të prodhimit.

Një tjetër risi e parashikuar nga projektligji është dixhitalizimi i procedurave përmes platformës e-Albania, me qëllim që fermerët të kenë akses më të lehtë dhe transparent në këtë mekanizëm. Salla theksoi se dëftesat tregtare do të garantojnë jo vetëm cilësinë e produktit, por edhe siguri juridike për fermerët dhe subjektet që do të ofrojnë financim.