Koreografi dhe balerini i njohur Ilir Shaqiri, në podkastin “Flasim” të kryeministrit Edi Rama, është shprehur se perceptimi për shqiptarët në Itali ka ndryshuar si nata me ditën.

Balerini u shpreh se “e shikoj tek dogana, që nga nxjerrja e pasaportës në krahasim me vite përpara, është nata me ditën”.

Ilir Shaqiri deklaroi se tashmë shqiptarët e nxerrin pasaportën pa teklif dhe se kanë kompleksin e viteve më parë, ku sipas tij, “ngushtoheshin shpatullat”.

Edi Rama: Ka ndryshuar shumë perceptimi për shqiptarët atje apo jo.

Ilir Shaqiri: E shikoj tek dogana, që nga nxjerrja e pasaportës në krahasim me vite përpara, është nata me ditën, sepse e nxjerrin pa teklif, e shikoj këtë gjënë që ka njëlloj krenarie. Nuk e kanë kompleksin, dikur ngushtoheshin shpatullat kur të pyesnin ose kur nxirrje kartëvizitën e kuqe.

E kanë bërë edhe vajtje-ardhje. Shikoj avionët që janë plot, kur kthehem shikoj familje me fëmijë që shkojnë të kalojnë fundjavën në Itali.

Italianët vetë nuk shkulen nga shtëpia, për arsye ekonomike apo arsye të ndryshme. Shikoj shqiptarë ikin për qejf dhe kthehen për qejf. Është fakt, e jetoj vetë këtë gjë. S’ka nevojë të ma thotë njëri.