Manolo Portanova, futbollisti 21-vjeçar i Xhenoas, i cili në të kaluarën ka luajtur dhjetëra ndeshje me fanellën e përfaqësueseve të moshave të Italisë, është në arrest shtëpie pasi akuzohet se ka përdhunuar një 22-vjeçare bashkë me tre persona të tjerë.

Ngjarja ka ndodhur pak ditë më parë në Siena gjatë një feste private dhe është bërë objekt i hetimeve nga polica e cila ka dhënë masën e arrestit në shtëpi të lojtarit të Serisë A dhe dy miqve të tij, ndërsa një familjar i Portanovas po hetohet në gjendje të lirë.

Futbollisti gjendej me pushime kur është kontaktuar nga polica dhe është arrestuar atje me akuzën e përdhunimit, ndërsa më pas është dhënë masa e arrestit në shtëpi për të dhe për miqtë ë tij.

Të hënën ai do të paraqitet për të dhënë dëshminë e tij rreth ngjarjes. Një nga dy të ndaluarit e tjerë ka deklaruar se marrëdhënia me këtë 22-vjeçare nuk ishte përdhunim, pasi ishte kryer me miratimin e saj. Ndërsa tjetri kishte refuzuar të fliste.

Të gjithë pjesëtarët në atë festë private po merren në pyetje, por sipas mediave italiane, ai që rrezikon më shumë është pikërisht futbollisti i Xhenoas.