Detaje të reja kanë dalë në dritë nga arratisja nga burgu e Daut Lazes një ditë më parë. Fillimisht u raportua se Laze është larguar duke shfrytëzuar ambientin e mjekimit në këtë burg, për tu larguar nga rrethimi i institucionit. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë nuk rezulton që Laze të jetë ndihmuar nga ndonjë person.

Mësohet se Laze ka shkuar në ambjentin e mjekimit dhe ka shfrytëzuar momentet kur nuk ka pasur staf të burgut pranë tij. Më pas ka dalë jashtë në ajrim, ka marrë një llamarinë dhe duke e mbështetur te muri rrethues, është ngjitur nëpërmjet llamarinës dhe ka kapërcyer murin dhe më pas ka kaluar edhe rrjetën rrethuese dhe është arratisur me vrap.

Nuk dihet ende drejtimi që ka ndjekur Laze. Pak më herët edhe familjarët e tij konfirmuan që 49-vjeçari nuk kishte shkuar në shtëpi dhe nuk e dinin ku ndodhej. E ëma e Lazes, është shprehur se nuk kanë dijeni se ku ndodhet, pasi nuk kanë pasur asnjë kontakt me të që në momentin që janë njoftuar për arratisjen.

Policia vijon kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e 49-vjeçarit, teksa ka vënë në dispozicion edhe një shumë parash për këdo që ka dijeni për vendodhjen e tij. Por pavarësisht kontrolleve dhe shumës prej 10 mijë eurosh të vënë në dispozicion për këdo që jep informacion, policia nuk ka arritur ende të bjerë në gjurmët e tij.