Një bisedë telefonike midis presidentit rus Vladimir Putin dhe ish-presidentit të SHBA-ve Donald Trump, pas takimit të Putin me të dërguarin special Steve Witkoff, është “teorikisht e mundur”, ka njoftuar agjencia e lajmeve Interfax, duke cituar zëdhënësin e Kremlinit, Dmitry Peskov.
Peskov, megjithatë, nuk ka dhënë një vlerësim të saktë për kohën se kur do të realizohet kjo telefonatë. Më herët, Kremlini kishte njoftuar se Putin dhe Witkoff do të diskutonin mundësitë për zgjidhjen e luftës në Ukrainë, por theksoi se nuk priten zhvillime të menjëhershme diplomatike.
“Putini do ta dëgjojë atë”, tha Peskov, duke shtuar se diskutimi mund të përfshijë aspekte të ndryshme të procesit të zgjidhjes së krizës në Ukrainë.
Në takimin e zhvilluar këtë të premte, Witkoff, i cili ka udhëtuar dy herë në Rusi këtë vit, u takua gjithashtu me negociatorin rus Kirill Dmitriev, përpara se të takohej me presidentin Putin në Shën Petersburg. Takimi erdhi në një moment kur presidenti Trump ka shtuar presionin për vazhdimin e bisedimeve të paqes për Ukrainën, të cilat janë ngecur në javët e fundit.
Trump ka shprehur frustrimin e tij për vonesat e bisedimeve dhe për mënyrën se si Rusia ka refuzuar kërkesat për një armëpushim. Ukraina ka rënë dakord për një armëpushim 30-ditor, por Rusia ende nuk ka dhënë përgjigje dhe po i vonon bisedimet, duke shfrytëzuar përparimet e saj strategjike dhe duke kërkuar lëshime të mëdha gjatë negociatave.