Pas “Mesharit” të Gjon Buzukut (1555) nga Vatikani, në këtë 100-vjetor të Pavarësisë, shpata dhe përkrenarja e Skënderbeut kanë mbërritur nga Austria, për t’u ekspozuar në Pavionin e Mesjetës të Muzeut Historik Kombëtar. Ditën e enjte shpatat dhe përkrenarja e heroit u ekspozuan për herë të parë në ambientet e Muzeut, gjë që u shoqërua me një fluks mjaft të madh qytetarësh që u dyndën për të parë nga afër armët e heroit tonë kombëtar.

Luan Malltezi, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar tha se ardhja në Shqipëri e tyre është mundësuar falë një marrëveshje bashkëpunimi mes dy vendeve, e cila u arrit në këtë vit jubilar, ndonëse kërkesa e shqiptarëve për të pasur objektet që i përkisnin Heroit tonë ka qenë e përsëritur, po herët e tjera pa sukses. Për sjelljen e shpatës dhe përkrenares në Shqipëri është akorduar një shumë prej 100 mijë dollarësh nga qeveria, ndërkohë që ekspozimi i tyre në muze do të bëhet në kushte të plota sigurie.

Disa muaj më parë një grup ekspertësh austriakë vizituan Muzeun Historik Kombëtar për t’u siguruar mbi kushtet e sigurisë dhe mirëmbajtjes së dy relikeve të rralla që janë pjesë e fondit të Muzeut të Historisë së Artit në Vjenë. Për një muaj e gjysëm shpata dhe përkrenarja do të mund të vizitohen nga publiku, për t’u kthyer sërish në Austri. Që në kohën e Ahmet Zogut e më pas janë bërë disa kërkesa për të pasur këto objekte të rëndësishme në vend, po gjithnjë është refuzuar nga pala austriake. Refuzimi më i fundit ka qenë ai që iu bë kërkesës së bërë në kuadër të 600-vjetorit të lindjes së Skënderbeut.

Kërkesat e vazhdueshme

Kërkesë për kthimin në atdhe dhe pikërisht në tokën e Kastriotëve të relikeve të Heroit ka bërë edhe Kruja. Armët e heroit tonë pas vdekjes së tij përfunduan në Itali, atje ku emigroi dhe familja e Skënderbeut. Ato u kthyen në objekt me vlerë shitjeje dhe sot, që nga viti 1888 ndodhën te ekspozuara në muzeun e Vjenës. Përkrenarja dhe shpata e heroit janë kërkuar në vitin 2000, 12 vite të shkuara nga qyteti simbol i qëndresës së shqiptarëve, Kruja. Vjenës zyrtare iu kërkua të rishqyrtojë qëndrimin e saj për kthimin e armëve në atdheun e heroit.

Në mesin e viteve ’90, parlamentarët austriakë i thanë një Jo të prerë kërkesës shqiptare duke përdorur si arsyetim historinë e marrjes së armëve nëpërmjet Italisë. Duke falenderuar Austrinë për ruajtjen e tyre ndër shekuj, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” në Krujë, Mehdi Hazisi qe shprehur: "ka ardhur koha që armët e strategut shqiptar, Skënderbeut t'i kthehen muzeut që mban emrin e tij, Gjergj Kastrioti Skënderbeu."

Pas një insistimi të vazhdueshëm të qeverive shqiptare në kohe të ndryshme me anë të kërkesave zyrtare drejtuar shtetit austriak çeshtja u la në heshtje. Pluhuri i harresës po mbyste kërkesat legjitime për të pasur të ekspozuara në vendin e heroit edhe të vetmet armë të mbetura deri në ditët tona nga Skënderbeu, një nga figurat më legjendare në nivel ndërkombëtar të shekullit XV. "Armët janë dëshmi e gjallë e tij dhe e epokës."- thonë historianët. Në këtë 100-vjetor Austria hapi dyert dhe pranoi kërkesën e Shqipërisë. Pranoi të jap hua për pak kohë reliket e heroit tonë, të cilat do të rikthehen sërish në muzeun austriak.

 

Inventari i armëve të Skënderbeut në Muzeun e Vjenës:

– Përkrenarja e Heroit me peshë prej 3 kg
– Një shpatë e përkulur në formë harku me peshë 3,2 kg dhe gjatësi 121 cm
– Një tjetër shpatë me peshë 1,3 kg dhe gjatësi 85,5 cm.

Përkundrejt kërkesës së refuzuar të Krujës për rikthimin e objekteve të heroit, autoritetet shqiptare të dy dekadave të fundit tashmë janë pajtuar me faktin se ato i përkasin Austrisë nën arsyetimin se Skënderbeu është hero europian dhe nuk i përket vetëm shqiptarëve, po vërtet armët nuk e humbasin identitetin e tyre në duart e pronarit zyrtar, po me siguri që do të rifitonin një tjetër identitet në vendin të cilit i përkasin realisht.

Armatimi i Skënderbeut

Informacionet mbi armët e Skënderbeut kanë ardhur deri në ditët tona nga dy rrugë: nga burimet e shkruara dhe nga vetë armët e ruajtura deri më sot. Në burimet e shkruara, sipas historianit Kristo Frashëri flitet vetëm për shpatat: Dhimitër Frengu thotë se shpata e Skënderbeut ishte një pallë e harkuar (una scimitarza storta) me tehe shumë të hollë dhe me damaskinë me shumë hijeshi, e cila për cilindo dukej e rëndë, kurse për të ishte e lehtë. Dikur mbante dy shpata, të cilat i vendoste në një mill. Pastaj ai shton se njëherë pruri nga Italia një mjeshtër të shkëlqyer, i cili bëri tre palla shumë të mira.

Njërën prej tyre, e cila mund të priste hekurin ia dërgoi dhuratë sulltanit. Në pritjen zyrtare që Papa Pali II i bëri Skënderbeut në natën e Krishtlindjes së vitit 1466, i dhuroi Heroit një shpatë dhe një kësulë (una spada ed un capello).” Nga pajisjet personale të mbërritura deri në ditët tona janë katër objekte: dy shpata, një përkrenare dhe një libër uratash. Përkrenarja dhe dy shpatat ndodhen në Muzeun Historik të Vjenës, ndërsa Libri i Uratave, të cilin ia dhuroi heroit familja Di Capua e Napolit, ndodhet në fondet e shtëpisë botuese "Shelley House" në Celsi (Chelsea), Londër. 

Përkrenarja dhe shpatat kanë një histori disi të errët. Pas vdekjes së Skënderbeut, ato i morën me vete e shoqja Donika dhe i biri Gjoni, kur mërguan në Itali. Se kush i pati pas vdekjes së tyre nuk dihet. Historia dëshmon se i pati për disa kohë Duka i Urbinos dhe Areskotit. Më pas ato shfaqen në dokumentat e kohës dhe pikërisht në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit XVI. Në vitin 1590, përkrenarja dhe dy shpatat nuk ndodheshin në një dorë të vetme.

Përkrenaren dhe njërën nga shpatat e kishte në zotërim konti Eolfang i Sturbenbengut. Shpata tjetër ndodhej në Muzeumin e Armëve, siç raportohet nga dokumenti i inventarit të hartuar më 30 tetor 1590 të arkidukës Karl i Stirisë, biri i Perandorit të Gjermanisë në Gratz të Austrisë. Ai që i bashkoi ishte djali tjetër i perandorit gjerman, vëllai i Karlit, arkiduka Ferdinand i Tirolit, me porosinë e të cilit, kancelari i tij, Jacob Schrenk von Gotzing i bleu dhe me to ai pasuroi Muzeun që Ferdinandi ngriti në Ambras pranë Tirolit në Austri.

 

Rruga që kanë ndjekur përkrenarja dhe shpatat e Skënderbeut

Koha e mbërritjes në muzeun Kunthistorisches: 1888
Vinin nga: Italia
Pronarët e parë: familja e Kastriotëve, gruaja Donika, djemtë Gjergj dhe Gjoni, si dhe nipi Skënderbeu i ri
Pronarët e dytë: Duka i Urbinos dhe i Areskotit
Pronar i tretë: Duka Ferdinand i cili i ruajti në kështjellën Ambras, viti 1605
Pronar i katërt: Perandori austriak në Kështjellën Belvedere 1806
Pronar i Pestë dhe aktual: Kunthistorisches Museum, Vjenë

Këtë muze ai e mbushi me veshje luftarake, mjete lufte, sende artistike dhe piktura te ndryshme të perandorëve, mbretërve, princërve, kontëve dhe figurave të shquara të shekullit XV-XVI. Në inventarin e hartuar në vitin 1595 përkrenarja dhe dy shpatat e heroit janë pjesë e listës së muzeut të Ambrasit. Në vitin 1806, ato u transferuan në Muzeun Perandorak të Vjenës, po sërish të veçuara. Përkrenarja dhe shpata me trup të drejtë u vendosën në sallën e quajtur Maksimilian (salla XXV, nr.71 dhe 92), kurse shpata tjetër me trup të harkuar (palla), në sallën e quajtur Karli V (salla XXVII, nr.345).

Ato u veçuan ngaqë drejtuesit e Muzeut të Vjenës, nuk ishin plotësisht të bindur nëse palla, e shkëputur nga përkrenarja, i takonte me të vërtetë Skënderbeut. Por, pas Luftës së Dytë Botërore, dyshimet u davaritën dhe në pragun e 500-vjetorit të Heroit, ato u bashkuan në të njëjtën sallë, madje në të njëjtën vitrinë, të po atij institucioni që tani quhet Muzeu i Historisë së Artit (Kunsthistorisches Museum, Eien). 

Shpata

Shpata me trup të drejtë, e cila ndodhej së bashku me përkrenaren në Muzeun e Ambrasit është me dy tehe. Trupin e ka të larë me ar dhe është e gjatë 85.5 centimetra, e gjerë 5.7 centimetra. Ajo peshon 1.3 kilogram dhe ka këllëf lëkure. Në fillim të shekullit XX, Faik Konica pasi e pa nga afër raportonte se ende në trupin e shpatës shiheshin njolla gjaku. Përkundrazi, shpata tjetër (palla), e cila para se të hynte në Muzeun e Ferdinandit (Ambras) e kishte në zotërim vëllai i tij Karli, ka trup të harkuar. Bashkë me dorezën është 121 centimetra e gjatë dhe peshon 3.2 kilogram. Është e stilit turk të shekullit XV. Trupi i saj është i dekoruar me ornamente damaskine dhe ka një mbishkrim turqisht: Libehadur Allah Iskander beg (Kampioni i Perëndisë, Skënderbeu). Sipas Konicës, vetëm trupi i shpatës është i viteve të Skënderbeut. Doreza e larë në argjend dhe mëhilli i veshur me kadife janë të mëvonshme. Sipas studiuesve, në fushën e betejës heroi përdorte shpatën e harkuar e cila e ndihmonte për të goditur më lehtë armikun dhe ishte më e madhe. Të dyja shpatat janë riprodhuar në Vjenë, posaçërisht për muzeun e Tiranës dhe sot ndodhen në Muzeun Historik Kombëtar. 
 

Përkrenarja

Koka e dhisë që qëndron në majë të përkrenares është elementi që bie fort në sy dhe deri më sot askush nuk ka mundur të thotë me saktësi se çfarë simbolizon ajo. Historianët e lidhin me kultin e lashtë të dhisë së egër, që ishte simbol i zanave shqiptare, të cilat, sipas legjendës, jetojnë dhe tani në bjeshkët e larta. Ndërkohë ekziston dhe një shpjegim tjetër për këtë element që lidhet me dy brirët, si një element i huazuar prej Skënderbeut nga legjenda e Aleksandrit të Maqedonisë, ose nga një pohim i Plutarkut, meqënëse në Mesjetë shqiptarët e mbanin veten si pasardhësit e Aleksandrit të Madh dhe sidomos të Pirros së Epirit. Për Pirron, Skënderbeu ka pohuar qartë se shqiptarët janë pasardhësit e tij dhe studiuesit besojnë se vazhdimësia, trashëgimia e elementit është në bazë të kësaj figure. Përkrenarja e Skënderbeut është e punuar me metal të bardhë dhe e pajisur me një rrip të larë në ar. Koka e dhisë është punuar në bronx të larë në ar. Në pjesën e poshtme ka rreth e qark një rrip bakri me një mbishkrim prej gjashtë rrokjesh të ndara midis tyre: IM*PE*RA*TO*RE*BT, që do të thotë: Jezusi i Nazaretit të bekon ty Skenderbe, Princ i Matit, Mbret i Shqipërisë, tmerri i Osmanllinjëve, Mbret i Epirit. Rripi prej bakri me këto monograme mendohet se është vënë më vonë në përkrenare nga pasardhësit e Heroit, të cilët kanë menduar se me shtimin e titujve do t'ia rritnin atij vlerën, ndërsa ai nuk ka mbajtur asnjë prej tyre po vetëm "Zot i Shqipërisë". Me porosi të qeverisë së pasluftës, një kopje identike e përkrenares së Skënderbeut, e punuar me 1937 nga një mjeshtër i talentuar austriak, ndodhet në Muzeun historik të Tiranës.