Një ndeshje me një fund për t’u harruar ajo mes Trabzonspor dhe Fenerbahçes që risjell me forcë temën e dhunës së shfrenuar në stadiumet e kampionatit turk.  Golit vendimtar i ish-sulmuesit të Çelsit, Miçi Batshuai, ishte justifikimi për të shkaktuar reagimin fatkeq të disa mbështetësve të skuadrës vendase pas bilbilit të fundit të arbitrit.  Më shumë se bëmat në fushë, u fol për skenat e çmendurisë pas minutës së 90-të, me sjelljen e disa tifozëve të Trabzonsporit, të cilët vendosën të sulmojnë lojtarët e Fenerbahçes gjatë festimeve të këtyre të fundit.

Ndër lojtarët që përfunduan në fokusin e të dhunshmëve ishin pikërisht Batshuai dhe Osayi Samuel, të detyruar të mbroheshin në mënyrën e tyre nga furia e atyre që kërkonin përballjen. Skena paniku total, ku ndërhyrja e policisë u bë e nevojshme për të rivendosur qetësinë. Pamjet treguan se lojtarët e Fenerbahçes mbroheshin nga tifozët vendas, duke përfshirë edhe stile të sportit si “Kung fu”. Një video epike tregon Batshuain teksa godet me stil “Kung fu” një prej tifozëve kundërshtar.  Pas një periudhe tensioni, situata u qetësua dhe lojtarët u tërhoqën në dhomat e zhveshjes.

Pas ngjarjes së turpshme të ndodhur në takimin Trabzonspor – Fenerbahce, ka ardhur edhe reagimi nga Federata e Futbollit të Turqisë (FFT). “Ajo që ndodhi në futboll, që është një lojë miqësie, paqeje dhe vëllazërie, nuk është kurrë e pranueshme. Për të mos lejuar që këto incidente të përsëriten, askush nuk duhet të ketë asnjë dyshim se pas përfundimit të hetimeve ndaj përgjegjësve të incidenteve do të zbatohen sanksionet e nevojshme penale, në mënyrë që këto incidente të mos përsëriten”, ka shkruar faqja zyrtare e FFT.