Sinan Hoxha dhe Seldi Qalliu të ftuar në “Xing me Ermalin” folën për atë që ka kuriozuar për kaq shumë kohë publikun shqiptar.

3 vite më parë ata i dhanë fund miqësisë së madhe që kishin bashkë duke habitur kështu të gjithë fansat e tyre.

“Kemi patur 4-5 bashkëpunime bashkë të cilat rezultuan të suksesshme, koncerte, publik, klikime pafund. Çdo gjë ishte perfekte. Atë kohë Seldi e kishte mbaruar akademinë dhe kur mori famë, ishte paksa i ri në moshë dhe…”, u shpreh Sinani duke i lënë fjalën Seldit.

“Fama më erdhi pa kuptuar, ishte edhe si një lloj ‘depresioni’ pasi njerëzit thonë se kur njeriu kalon në depresion, nuk e kupton. Asokohe nuk i kushtova shumë rëndësi sepse kishim shumë koncerte, para, lek. Sinani në atë kohë kishte shumë kërkesë llogarie dhe mua më dukej si e tepërt, por sot kuptoj që ishte minimumi që mund të bëje. Ndërkohë që Sinani stukonte veten e vet artistikisht, e bënte këtë edhe me mua, por unë asokohe dilja me femra, pija, të nesërmen duhej të shkonim në koncert, por unë isha tapë. Tani e kuptoj”, u shpreh Seldi, ish-banori i “Big Brother”.

“Për ta plotësuar, shkëputja e parë në fakt ka ndodhur kur djalit iu shkrep në mendje të bënte një master në muzikë në SHBA edhe pse e kishte mbaruar akademinë dhe ishte në kulmin e karrierës. Unë jam pak strikt në këtë pikë, dhe në fakt Seldi shkoi në SHBA , por ai master nuk u bë kurrë. Aty ndodhi shkëputja e parë”, shtoi më tej Sinani duke treguar në këtë mënyrë dhe arsyen e ndarjes së tyre.