Me ndeshjen e prapambetur Tirana-Teuta në basketboll për meshkuj, fituar 76-68 nga bardheblutë, është mbyllur sezoni i rregullt e Superligës dhe jo vetëm, pasi praktikisht në të katërta kampionatet, dy meshkuj e dy femra, është ulur sipari. Për pasojë, janë përcaktuar edhe çiftet gjysmëfinaliste të play off-it, ku luhet për titullin kampion, si dhe ato të play out-it, ku luhet për mbijetesë dhe një vend mes më të mirave sezonin tjetër.

Te meshkujt, Tirana do të luajë në gjysmëfinalet e play off-it ndaj Kamza Basket, ndërsa Teuta do të përballet me Partizanin në takimin tjetër. Në play out, Vllaznia do të luajë ndaj Elbasanit, i renditur i dyti në Kategorinë e Parë. I vetmi derdikt i dalë nga kampionati i meshkujve është kualifikimi i ekipit debutues të Goga Basket nga Kategoria e Parë në Superligë, ndërsa Eagles do të zbresin në kahun e kundërt.

Te femrat, dy përballjet gjysmëfinaliste janë ato mes Flamurtarit e Studentit si dhe Tiranës e Goga Basket, ku natyrisht që sfida e dytë parashikohet më interesante. Në play out do të luajnë Vllaznia e Apolonia, me fieraket të renditura në vendin e dytë në Grupin B. Sezonin tjetër, ekipi i Skënderbeut zbret në Grupin B, ndërsa në Grupin A do të ngjitet Elbasani, që u rendit i pari.