Për të gjithë ju që dëshironi të bëni plazh në një vend të qetë e pa shumë njerëz, vetëm 30 minuta larg nga qendra e qytetit të Durrësit ndodhet plazhi i sektorit “Rinia”. Pas kalimit të një rruge disi të vështirë mes lagunës me peshq e pulëbardha që qëndrojnë mbi ujë dhe pamjes mbresëlënëse të kurorës me pisha, do ju shfaqet një plazh i virgjër. Në lagunë do të keni mundësi të shikoni edhe disa grupe pelikanësh, këtij shpendi të rrallë që mesa duket ka gjetur atje një ambient të përshtatshëm për të qëndruar.
Uji i pastër, kilometra të tëra me rërë, e bëjnë atë një plazh perfekt për të pushuar me familjen e sidomos me fëmijët. Ndryshe nga plazhi privat ku çdo lëvizje është e kufizuar dhe çdo gjë paguhet, këtu mund të merrni një top me vete dhe të kënaqeni siç bëhej dikur në plazh. Ushqimin sigurisht duhet ta merrni me vete, pasi kur kalon pjesën e plazhit privat, aty nuk ka më asnjë bar apo restorant ku mund të blini diçka.
I frekuentuar kryesisht nga familjarët me fëmijë apo edhe nga ato persona që duan të qëndrojnë larg rrëmujës e zhurmës dhe mbi të gjitha të bëjnë plazh pa shpenzime, kjo pjesë e sektorit “Rinia” është një oaz qetësie. Përveçse të notoni e të merrni rreze dielli, nëse jeni të apasionuar pas peshkimit, mjafton të merrni grepat me vete dhe do të mund të peshkoni lloje të ndryshme peshqish duke filluar që nga spalca, levreku dhe qefulli.
Ndërsa në kthim mund të ndaloni për një piknik tek pishat në zonën e mbrojtur të Bishtkamzës, mes freskut dhe zhurmës së këndshme të gjinkallave, apo të shijoni peshkun e freskët në një nga restorantet aty pranë.
R.O.