Nga Korça, ambasadori italian Marko Alberti dha një prononcim për gazetarët lidhur me zhvillimet më të fundit në Shqipëri, ku kryefjala janë protestat prej 117 ditësh si dhe arresti shtëpiak ndaj Vlora Hysenit.

Kjo e fundit u vu në masën e sigurisë pas hetimeve të SPAK për dosjen AKSHI, teksa dyshohet se ka shpërdoruar detyrën duke nxjerrë informacione sekrete të dërguara ndaj biznesmenit Ergys Agasi.

Lidhur me protestat e zhvilluara prej 117 ditësh në Tiranë, qytete të tjera të vendit si dhe diasporë kundër qeverisë Rama, Alberti thotë se po ndiqet me vëmendje dhe Italia po respektin me atë çfarë po ndodh.

“Atëherë ne i ndjekim me vëmendje protestat. Sigurisht që nuk i përket, nuk është detyrë e një ambasadori që përfaqëson një shtet të caktuar, të shprehet apo të prononcohet për këtë. Ne jemi duke e ndjekur situatën dhe respektojmë çfarë ndodh.”

Sa i përket arrestit shtëpiak të vendosur për Vlora Hysenin, ish-drejtoreshën e SHISH, Alberti përgjigjet:

“Atëherë unë nuk mund t’ju jap asnjë përgjigje lidhur me këtë sepse ne merremi pra ose trajtojmë çështjet e bashkëpunimit dypalësh dhe nuk mund të kem asnjë mendim lidhur me këtë çfarë po më pyesni.”

Nga ana tjetër, Alberti foli edhe për bashkëpunimin strategjik mes dy vendeve mike dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Atëherë unë mund të ndalem te angazhimi i Italisë për ta rritur praninë e saj në Shqipëri dhe faktikisht Italia po përpiqet që t’i japë një përmbajtje tjetër marrëdhënieve strategjike me Shqipërinë. Kemi ndërkohë investime në Shqipëri të cilat kapin shifrën e rreth 1 miliard euro. Gjithashtu krahas investimeve të tjera do të realizohen ose do të mundësohen 600 apo 700 vende të reja pune. Dhe është e rëndësishme që t’i jepet një përmbajtje tjetër këtyre marrëdhënieve strategjike mes dy vendeve tona sepse ne jemi të mendimit që forcimi i marrëdhënieve në fushën e ekonomisë ndihmon sigurisht edhe në rrugëtimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit të saj në Bashkimin Evropian.

Gjithashtu sektorë të rëndësishëm ku ne jemi të pranishëm është ai i inteligjencës artificiale e në sektorin digjital, në industrinë e mbrojtjes e kështu me radhë. Pra synimi ynë nëpërmjet pranisë tonë këtu është që këtë të rinj apo fëmijët e sotëm të cilët në të ardhmen do të jenë të rritur të qëndrojnë në Korçë, të japin kontributin e tyre, pra ne të forcojmë marrëdhëniet tona në mënyrë që të ndihmojmë të rinjtë apo popullatën që të punojë dhe jetojë në Shqipëri duke dhënë ndihmesë për rritjen dhe zhvillimin e Shqipërisë.”

Ambasadori mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Bibliotekës së Fëmijëve “Thoma Turtulli”, pas rikonstruksionit dhe transformimit të saj në një hapësirë moderne për fëmijët, leximin, dijen dhe kreativitetin.