Ndërkohë që rrugët e Tiranës janë pushtuar nga marshimet masive të qytetarëve që kërkojnë rrëzimin e qeverisë, tensioni ka arritur kulmin edhe brenda sallës së Parlamentit sot.
Deputeti Agron Shehaj ka publikuar një video nga një përballje e ashpër e drejtpërdrejtë me kryeministrin Edi Rama, duke i drejtuar akuzat për korrupsion dhe duke ironizuar deklaratat e fundit të kreut të qeverisë jashtë vendit.
Shehaj e ka akuzuar Ramën se i fshihet revoltës së popullit duke udhëtuar nëpër Europë, ndërsa në Kuvend vjen vetëm për interesa të ngushta pushteti.
“Ja dhe kryeministri që u fshihet qytetarëve dhe i sulmon. Bredh në Europë dhe vjen këtu… sepse do të votojë ligjin për amnistinë, që të nxjerrë të burgosurit nga burgu. Ja kryeministri që i ka dhënë Shqipërisë tri qeveri të korruptuara, që mbron të korruptuarit nga burgu,” deklaroi Shehaj duke drejtuar gishtin nga Rama.
Shehaj u ndal gjerësisht te protestat që po zhvillohen në kryeqytet, duke hedhur poshtë pretendimet e Ramës në forumet ndërkombëtare se revolta ndikohet nga sulmet kibernetike të Iranit apo faktorë të tjerë të huaj.
“Njerëzit e kanë kuptuar dhe duan fundin tënd, të duan në burg! I ke dëgjuar apo jo? Janë shqiptarë, nuk janë iranianë, serbë e grekë! Janë qytetarë të ndershëm me moral, jo si puna jote që nuk ke moral, nuk ke parime, për ty pushteti është gjithçka!” shpërtheu deputeti.
Në fjalën e tij, Shehaj përfshiu në listën e përgjegjësive edhe bashkëpunëtorët më të ngushtë të kryeministrit, duke thënë se paratë që duhej të shkonin për shërbimet bazë të shqiptarëve janë përvetësuar nga kupola në pushtet.
“Ky është ai që u ka vjedhur të ardhmen, pronat, që ka vjedhur paratë që duhet të shkonin në shëndetësi e në arsim, bashkë me Belindën, me Erion Veliajn. Çdo gjë mund ta bësh, kjo është diferenca. Qytetarët duan Shqipëri ndryshe, jo Shqipërinë tënde! Shqipëria e shqiptarëve!”
Në mbyllje të mesazhit të tij që shoqëronte videon e nxehtë nga seanca plenare, Shehaj theksoi se Rama nuk ka guximin të përballet me votën e lirë: “Nuk është burrë të japë dorëheqje e të shkojë në zgjedhje të parakohshme, di vetëm të kërcënojë!”





