Në zbatim të planit të masave për të parandaluar dhe goditur aktivitetin e paligjshëm të dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufijve dhe tranzitimin e tyre në territorin shqiptar, me destinacion vendet e BE-së, nga specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Elbasan u arrestua në flagrancë shtetasi F. Z., 29 vjeç, banues në Durrës.

Ky shtetas është kapur në kushtet e flagrancës, nga shërbimet e Policisë, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Besmirit”, Elbasan, duke transportuar me automjetin tip “BMW”, 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së, kundrejt pagesës.

Në momentin kur shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të punonjësit të Policisë, por ka tentuar të largohet.

Gjithashtu dhe është shpallur në kërkim bashkëpunëtori i tij, shtetasi P. S., 30 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë, i cili paraprinte rrugën me një mjet tjetër, për të kontrolluar nëse kishte shërbime policore në rrugë.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjetet, 1 aparat celular dhe 460 euro të dyshuara të përfituara nga ky aktivitet i paligjshëm.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.