Mashtrimet ndaj buxhetit të shtetit italian dhe fondeve të Bashkimit Europian kanë tejkaluar vlerën e 1.6 miliardë eurove gjatë pesë muajve të parë të vitit 2025. Të dhënat janë bërë publike nga Guardia di Finanza në bilancin e saj operacional.
Sipas raportit, nga 1 janari deri më 31 maj 2025 janë konstatuar mashtrime me vlerë mbi 1.6 miliardë euro, nga të cilat 303 milionë euro lidhen me shpenzimet për pensionet, asistencën sociale dhe sektorin shëndetësor.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar mbrojtjes së fondeve të Bashkimit Europian, përfshirë subvencionet e parashikuara nga Politika e Përbashkët Bujqësore. Hetimet zbuluan mashtrime mbi 47 milionë euro, të kryera përmes deklarimeve të rreme dhe dokumenteve të falsifikuara të pronësisë. Autoritetet sekuestruan pasuri me vlerë mbi 29 milionë euro dhe denoncuan 323 persona të përfshirë.
Në 17 muajt e fundit, Guardia di Finanza ka sekuestruar pasuri dhe asete financiare që dyshohen si përfitime nga evazioni fiskal dhe mashtrimet tatimore, me një vlerë totale prej rreth 4.7 miliardë eurosh.
Gjatë së njëjtës periudhë janë identifikuar 8.297 evazorë fiskalë të plotë dhe 47.419 punonjës të padeklaruar ose me parregullsi. Po ashtu, 20.429 persona janë denoncuar për vepra penale tatimore, ndërsa 223 prej tyre janë arrestuar.
Në luftën kundër krimit kibernetik me natyrë ekonomike dhe financiare, autoritetet italiane realizuan 7.217 ndërhyrje, duke denoncuar 2.942 persona dhe sekuestruar kriptovaluta me vlerë mbi 114 milionë euro.
Ndërkohë, në fushën e pastrimit të parave dhe vetëpastrimit, janë zhvilluar 1.723 hetime që çuan në denoncimin e 4.830 personave, arrestimin e 273 prej tyre dhe sekuestrimin e pasurive me vlerë mbi 688 milionë euro.





