Pas informacioneve se disa persona në Tiranë do të transportonin emigrantë të paligjshëm kundrejt pagesës kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Tempizëm 23”.
Si rezultat i tij u bë arrestimi në flagrancë i Erzen Prendit 35 vjeç, Beqir Hasanit 34 vjeç dhe Anisa Ramajt 31 vjeçe. Gjithashtu, u shpallën në kërkim shtetasit A. Gj., 41 vjeç dhe E. Gj., 25 vjeç.
Nga veprimet hetimore dyshohet se këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ushtronin veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit. Ata transportonin emigrantë të paligjshëm, nga Saranda në Tiranë, i strehonin disa ditë në Pezë Helmës dhe më pas i transportonin ata drejt kufirit me Malin e Zi, kundrejt pagesës, me qëllim kalimin në vendet e BE-së.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit Erzen Prendit u gjetën të strehuar 9 emigrantë të paligjshëm. Gjithashtu, në oborrin e kësaj banese u gjetën 114 kubikë me fara kanabisi, gati për t’u kultivuar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 automjete me të cilat të arrestuarit kryenin transportimin e emigrantëve të paligjshëm, 2 celularë dhe 114 kubikët.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.