Kapja e 600 kg drogë në portin e Barit, në fillim të javës së kaluar, ka ashpërsuar kontrollet në portin e Durrësit. Për pasojë rreth 40 kamionë janë bllokuar në terminalin e Durrësit. Por në anën tjetër vonesa të shumta janë evidentuar në oraret e nisjes së trageteve nga porti i Durrësit. Këto vonesa vijnë në një kohë kur APD ka vënë në funksion “check in” elektronik, duke u mundësuar pasagjerëve, shoferëve të kamionave dhe drejtuesve të autoveturave, që brenda pak sekondave të vulosin dokumentet e tyre pa u paraqitur në agjensitë e biletave. Por pavarësisht asaj që thuhet në realitet ndodh krejt e kundërta, pasi vonesa të shumta janë vënë re në nisjen e trageteve të kompanive të ndryshme të lundrimit, që operojnë në portin e Durrësit.

Kamionët bllokohen në terminal

Gjatë kësaj jave problemi i madh për të gjithë transportuesit kanë qënë vonesat në terminalin e trageteve, ku për çdo natë si pasojë e kontrolleve të ushtruara një numër i konsiderueshëm mjetesh nuk nisej drejt portit të Barit. Vetëm në fillimjavë kanë mbetur pa u nisur 19 kamiona, ndërsa deri në mesjavë numri i tyre ka shkuar deri në 40. Policia kufitare e portit të Durrësit ka nisur kontrollet e imtësishme ndaj këtyre mjeteve, në tentativë për të parandaluar që sasi të tjera lënde narkotike të kalojnë përmes portit. Por nga ana tjetër kontrolli i të gjitha mjeteve kërkon kohë dhe fuqi punëtore. Si rezultat tragetet e linjës Durrës-Bari që nisen në orën 23.00 të mbrëmjes janë nisur me tre deri në katër orë vonesë nga porti i Durrësit, pavarësisht se kanë një orar udhëtimi, i cili duhet të respektohet.

Shqetësimi

Dhjetëra telefonata kanë mbërritur në redaksinë e gazetës “Dyrrah” nga qytetarë dhe subjekte biznesi të ndryshëm, të cilët kanë denoncuar procedurat e ngadalta dhe vonesat që shkaktohen në portin e Durrësit  nga kontrollet në pikën kufitare. Pasagjerë të ndryshëm kanë bërë me dije se janë imbarkuar në orën 20.00 në traget dhe kanë pritur me orë të tëra nisjen e lundrimit. Pasagjerët u shprehën të irrituar nga këto vonesa, që sipas tyre janë krejtësisht të pajustifikuara. Ndërsa procedurat e kontrollit të dokumentave të pasagjerëve bëhen në kohë rekord, e kundërta ndodh me orarin e nisjes së trageteve.

Kamionistët

Në orën 21.00 të mbrëmjes një radhë e gjatë kamionash që nis nga hyrja në terminal e përfundon tek kalata lindore vihet re në portin e Durrësit. Çdo kamion i ngarkuar me mall për eksport i është nënshtruar kontrolleve të rrepta nga policia kufitare e Durrësit. Por minimalisht çdo natë udhëtojnë drejt Italisë 100 kamionë. Policia kufitare ka kontrolluar imtësisht të gjithë kamionët dhe trajlerat, por problem më i madh i efektivëve është mungesa e mjeteve të specializuara për shkarkimin dhe ngarkimin e mallit. Autoriteti portual nuk ka vënë në dispozicion të policisë asnjë leftarak, që mund të lehtësonte sadopak punën. Në këtë situatë për të kontrolluar një kamion është nevojitur rreth 120 minuta kohë e për pasojë vonesat kanë qenë të konsiderueshme dhe janë reflektuar në edhe në nisjen e trageteve. Hyrja në terminal e çdo lloj mjeti, makinë, kamion apo trajler përfundon në orën 22.30 minuta, gjysëm ore para se tragetet të mbyllin portat e të nisen për lundrim. Por kjo gjë ndodh vetëm në tabelat e shkruara para portave të terminalit, sepse realiteti flet shumë ndryshe. 

 

Reagimi i Policisë Kufitare

Në një komunikim që “Dyrrah” pati me drejtorin e Policisë Kufitare, Arben Hajdarmataj, ky i fundit nënvizoi faktin se kontrolli do të bëhet me rreptësi për të gjithë kamionat që nisen drejt shtetit italian nga porti i Durrësit. “U kapën 600 kg drogë në Bari, përgjegjësia bie mbi policinë. Pa u kontrolluar të gjithë kamionat nuk do të jepet leja të nisen. Është detyra jonë t’i kontrollojmë para se të imbarkohen në target”,- tha Hajdarmataj. Kreu i policisë kufitare tha se imbarkimi i të gjithë kamionave kërkohet të bëhet menjëherë nga shoferët të cilët dynden në port në orën 21.00 të mbrëmjes, dhe kjo gjë është e pamundur që të kryhet në kohë rekord. “Me një shkresë të posaçme u jemi drejtuar të gjitha agjensive detare, që pas orës 17.00 të pasdites të nisë imbarkimi i kamionave dhe trajlerave. Shoferët vijnë me vonesë. Neve na duhet të shkarkojmë më parë mallin që ata kanë dhe pastaj ta ngarkojmë sërish. Shoferët të vijnë që në orën 17.00 për procedura”,- tha kreu i policisë kufitare.