Policia ka shpallur në kërkim ndërkombëtar biznesmenin Mirel Mërtiri. Kërkesa drejtuar Policisë për shpalljen në kërkim ndërkombëtar të biznesmenit Mërtiri është bërë nga SPAK.

Kujtojmë se biznesmeni Mërtiri është nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash në lidhje me aferën e inceneratorit të Elbasanit. Emri i Mërtirit është lakuar shpesh si personi kyç përsa i përket koncesioneve të inceneratorëve.

“Bazuar në dokumentet e mësipërme, provohet fakti dhe krijohet bindja se shtetasit Mirel Mërtiri, Stela Gugallja dhe Klodian Zoto, kanë konsumuar veprat penale të korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë shtetërorë” kryer në bashkëpunim dhe “pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në rrethana cilësuese në bashkëpunim”, thuhej asokohe në dosjen e SPAK.

Ndërkohë që bashkëjetuesja e tij Stela Gugallja, administratorja e kompanisë Alb-Tek Energy, e cila është shpallur në kërkim nga Prokuroria e Posaçme si e pandehur në dosjen hetimore për inceneratorin e Elbasanit, është ndaluar në Austri.

Ndalimi i saj është bërë disa javë më parë, ndërsa një gjykatë në Vjenë është duke shqyrtuar kërkesën për ekstradim. Këtë proces, Gugallja po e ndjek në gjendje të lirë.