Nga Jurgis Çyrbja (Deputet i PS-së, Qarku Durrës)

Tradicionalisht muaji shtator përkon me fillimin e procesit mësimor në mbarë vendin. Në këtë vit të ri shkollor 242 mijë nxënës nga e gjithë Shqipëria, nga klasa e parë në të nëntën, do marrin librat falas, duke lehtësuar financiarisht familjet e thjeshta. Një premtim i mbajtur i qeverisë shqiptare, e cila, tashmë për disa vite radhazi, e në vazhdim, siguron këtë të drejtë bazike për nxënësit dhe prindërit e tyre.

Politika e mirë është politika e punës. Ndaj edhe është punuar shumë që viti i ri shkollor t’i gjejë nxënësit në shumë shkolla me godina të reja e të rikonstruktuara duke garantuar një proces arsimor të sigurt e gjithëpërfshirës.

Në qarkun e Durrësit ka patur një angazhim maksimal që nxënësit të kenë ambiente mësimore të përshtatshme dhe me standarde, pasi fëmijët dhe brezi i ri meritojnë kushte sa më optimale, sepse ata janë e ardhmja e vendit dhe e shoqërisë.

Shkolla e mesme e bashkuar “Rexhep Mezini” në Ishëm, shkolla e parë e qarkut të Durrësit, një monument i dijes e i arsimit, prej së cilës kanë dalë breza të artë e të nderuar intelektualësh, do të rindërtohet që nga themelet, por duke ruajtur me fanatizëm vlerën historike që ajo ka mbartur ndër 110 vite. E ndërtuar më 5 prill 1913, për t’u mos u harruar kurrë në historinë e Ishmit dhe Durrësit, kjo shkollë do të mirëpresë denjësisht nxënësit e komunitetit, duke marrë kështu stafetën e dijes së gjyshërve e prindërve të tyre.

Fillim i mbarë i vitit shkollor do jetë edhe për nxënësit e shkollës 9 – vjeçare “Pren Simoni” në Draç të Ishmit, si edhe nxënësit e shkollës “Zyber Sallaku” në Kuçok të Manzës të cilët do të mund të rifillojnë mësimin në një godinë të rikonstruktuar dhe të zgjeruar. Në këtë shkollë po investohet për breza më të ditur, falë bashkëpunimit të Bashkisë së Durrësit me EU4Schools, duke rikonstruktuar çdo hapësirë të godinës, e duke shtuar dhe dy ambiente të reja të ndërtuara rishtazi bashkë me kënde sportive.

Në Kuçok të Manzës po ndërtohet një kopësht i ri në të cilin familjet do të kenë mundësinë t’i çojnë fëmijët e tyre në një godinë tejet të përshtatshme me standarde bashkëkohore.

Një kopësht i ri po ndërtohet edhe në fshatin Bizë, të Njësisë Administrative Ishëm, që do jetë një vatër e ngrohtë dhe një ambient edukues dhe argëtues për vogëlushët e zonës.

Por, për një brez të ri sa më të shëndetshëm nevojiten edhe hapësirat rikrijuese dhe sportive. Në Durrës po vijon intensivisht puna për parkun e madh urban “Vala”, për fëmijë, por edhe të rritur. Parku ‘Vala” me sipërfaqe 8 mijë metra katror, pjesë e programit kombëtar “Dua të Luaj”, do të ketë fusha sportive volejbolli, basketbolli, tenisi, minifutbolli, palestër të hapur, lojëra për fëmijë, korsi biçikletash, pistë vrapimi si edhe zona pushimi të gjelbëruara.

Të gjitha këto punë dhe investime në kopshte e shkolla janë shoqëruar me përmirësimin e infrastrukturës, një prioritet i padiskutueshëm, për të sjellë lehtësira gjatë gjithë vitit dhe për të parandaluar përmbyetjet në sezonin e shirave.

Politika e mirë është politika e punës dhe e projekteve të përfunduara. Ndërtimi dhe rikonstruksioni i kopshteve dhe shkollave ësht? një dëshmi e prekshme e një politike të premtimeve të mbajtura, dhe inkurajim e shtysë për të ecur përpara e për të punuar edhe më shumë në shërbim të njerëzve.

Në këtë fillim shtatori, pak ditë nga fillimi i procesit mësimor, i uroj të gjithë nxënësve dhe prindërve të tyre, e sidomos atyre vogëlushve që ulen për herë të parë në bankat e shkollës, një vit të mbarë shkollor me sa më shumë sukses në rrugëtimin e pafund e të mrekullueshëm të dijes, e duke shprehur mirënjohjen e thellë e të pareshtur për mësuesit dhe edukatorët për punën e shkëlqyer në profesionin e tyre fisnik.