Drejtuesi Politik i PD për Qarkun e Durrësit, Edi Paloka, denoncoi sot me emra personat që janë përfshirë në shitblerjen e votave, si dhe deputetin Jurgis Çyrbja, i cili sipas Palokës, në 5 praktika në Hipotekë (gjatë kohës kur e drejtonte këtë institucion, ka kryer mbivendosje pronash, duke i dhënë të njëjtën pronë brenda ditës dy personave të ndryshëm.

Ndërkohë, sipas nënkryetarit demokrat, në SPAK janë depozituar kallëzimet penale për drejtuesit e institucioneve vendore në Durrës që janë përfshirë në blerjen e votave, si dhe një seri shtetasish që duke shpërndarë para apo përmes kërcënimeve synojnë të tjetërsojnë vullnetin e votuesve.

Paloka tha se SPAK, bazuar në Kodin e Ri Zgjedhor, duhet të veprojë para zgjedhjeve të 25 prillit. Drejtuesi politik i PD tha se pavarësisht asaj që do të bëjë SPAK, dosjet janë aty dhe personat që kanë shkelur dhe po shkelin ligjin do të përballen me drejtësinë.