Intervistoi Mila Ballhysa

Prej disa javësh tashmë, kreu i PD Durrës, Ferdinand Xhaferaj, njëherazi kandidat për deputet në këtë qark, është në takime të përditshme me elektoratin dhe strukturat partiake.

Fushata nisi zyrtarisht vetëm më 25 mars, por strukturat ishin në punë prej shumë muajsh.

“Shumë kohë para kësaj date isha në takime të vazhdueshme apo denoncime për vetë faktin se jam kreu i degës lokale prej 3 vitesh tashmë”, thotë Xhaferaj gjatë një interviste për “DurrësLajm”, ku sqaron shumë nga aspektet e kësaj fushate, pritshmëritë e votuesve, keqmenazhimin që sipas tij i është bërë qytetit, por edhe investimet që Rama ka premtuar, nëse do të fitojë mandatin e tretë.

Duke iu referuar përmbytjes së qytetit sa herë regjistrohen reshje shiu, situatës alarmante mjedisore të krijuar një vit më parë në nisje të sezonit turistik, ndërhyrjeve në insfrastrukturën rrugore në mes të sezonit, konsultimeve publike të munguara etj, Xhaferaj shprehet se qyteti bregdetar është keqadministruar dhe keqmenaxhuar.

4 vite më parë, PS realizoi një fitore historike duke marrë 8 mandate, por sipas Xhaferajt, këto mandate nuk u morën nga socialistët, por nga Dosja 339, duke iu referuar kështu përgjimeve të prokurorisë shqiptare, të cilat u publikuan nga e përditshmja gjermane Bild.

Duke u ndalur te lista e Partisë Socialiste, Xhaferaj thotë se është pasqyrë e dosjes së bujshme “339”, pasi në të janë të përfshirë elementë të përfolur për korrupsion dhe dhunë.

“Nuk kishte si të ndodhte ndryshe edhe lista është pasqyrë e 339-ës. 40% e listës janë elementë të artikuluar në 339-n, elementë të përfolur për afera të rënda korruptive, janë elementë të përfolur për dhunë.”

Për të parandaluar fenomenin e shit-blerjes së votës, manipulimin e zgjedhjeve etj. PD po merr një sërë masash shtesë organizative dhe synon përdorimin e teknologjisë për të garantuar një proces transparent dhe të ndershëm më 25 prill.  

“Përveç masave organizative, kemi ngritur një Task Forcë për mbrojtjen e votës me vullnetarë, për të qenë prezentë në çdo cep të territorit vendit po investojmë në teknologji për të adresuar fenomenin shumë të rëndë të blerjes së votës”,- thotë Xhaferaj.

Nga ana tjetër, ai flet edhe për një avantazh të madh që koalicioni opozitar ka në këto zgjedhje.

“Kemi një avantazh shumë të madh krahasuar me vite më parë dhe kjo është fryma, revolta dhe dëshira e njerëzve për ndryshim”,- thotë Xhaferaj. Ai thekson se këtë frymë e ndesh kudo nëpër Durrës, në çdo lagje të qytetit, qoftë në ato në qendër, qoftë në periferi apo në zonat rurale.

Duke u ndalur tek investimet që kryeministri Rama ka premtuar se do të realizojë në Durrës përgjatë mandatit të tretë si porti turistik, parku fotovoltaik në Spitallë, lagjja e re në Spitallë ku do të ndërtohen pallatet për të pastrehët e tërmetit, hekurudha Durrës-Rinas-Tiranë etj, Xhaferaj thotë me ironi: Nuk ka pasur kohë këto 8 vite që t’i bëjë dhe premton në këto 30 ditë në ikje!

“Propaganda në 3D reflektohet edhe në këto 20 ditë. Më vjen keq ta them, por është tallje me qytetarët durrsakë”,– shton më tej ai.

Për projektin e portit turistik, që pritet të ndërtohet nga kompania arabe EMAAR, kandidati për deputet thotë se “për portin e Durrësit, institucionet financiare më prestigjioze si BERZH, Banka Botërore etj kanë investuar në të dhe kanë hartuar perspektivën e zhvillimit që do të ketë ky port në 10 vitet e ardhshme. Të gjithë durrsakët e dinë që ky është porti i Durrësit, porti i Evropës dhe jo porti i arabëve”.

Ndërsa është i bindur se koalicioni i PD do të marrë në qarkun e Durrësit 8 mandate, madje synon edhe të 9-in, Xhaferaj rrëfen një moment që e ka ndeshur shpesh në fushatë.

“Më ndodh shpesh që pasi u shpjegoj njerëzve programin e PD, ata më kthehen: Jemi të qartë, sepse ne kemi vendosur të rrimë këtu, me Ramën nuk kemi çfarë presim më. Nuk duam të ikim të gjithë nga Shqipëria. Kemi vendosur të rrimë këtu, prandaj rri i qetë z.Xhaferaj”,– tregon kandidati për deputet.