Konflikti mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, duket se ka arritur majat. Shfaqja e Fatos Nanos në këtë pikë kulmore ka ngjallur shumë dyshime dhe aludime. Por pse ish-lideri i PS doli në skenë tani? Cilat janë planet e Ramës dhe Fatos Nanos dhe pse LSI është acaruar kaq tepër me kryeministrin?

Gazeta SOT ka bërë një sërë kërkimesh dhe duket se sherri PS-LSI do arrijë deri aty sa të shkarkohet Ilir Meta nga posti i Presidentit. Në rrethet politike po flitet se Fatos Nano do jetë Presidenti i ri sapo të mbarojnë zgjedhjet. Një gjë e tillë është faktuar qartësisht dje përmes një sërë deputetëve dhe vetë Partisë Socialiste. Së pari, ka qenë kjo e fundit që e ka faktuar se Nano do jetë Presidenti i ri. Në Facebook, PS kur erdhi në pushtet hapi një faqe me emrin “Rilindje”, faqe e cila menaxhohet nga përfaqësues të PS-së dhe FRESSH-it dhe aty shprehen qëndrimet e vetë kësaj force politike.

Por dje ka pasur një reagim shumë të fortë ndaj deklaratës së Ilir Metës, i cili tha se nuk do e dekretojë qeverinë e re nëse vidhen votat. Nëpërmjet një statusi paralajmërohet rikthimi i Nanos president, ndërsa thuhet se do arrestohet Ilir Meta.

Sot (dje) Ilir Meta i terrorizuar nga dalja e sigurt në opozitë e hoqi maskën! Mr.7% shoku i Gimit pra, sot kërcënoi se si president i ardhshëm nuk do të dekretojë Edi Ramën për kryeministër! Shumë mirë Ilir. Do ta dekretojë Fatos Nano Edi Ramën. Ty të kemi prerë biletë loucost tek 313-ta; As thesari i Krrabës e as fabrikat e mermerit nuk të shpëtojnë kësaj radhe nga laku i Edi Ramës dhe shqiptarëve të ndershëm”, thuhet në statusin e “Rilindjes”.

Nga ana tjetër mësohet se dhe në takimin që Rama pati me Nanon në Durrës është diskutuar kjo gjë. Ndërkohë, në përvjetorin e PS-së, Nano dërgoi një mesazh goditës për LSI-në.

Thirrjet e deputetëve

Përveç postimeve në internet, janë dhe vetë deputetët e PS-së që e mirëpresin rikthimin e Fatos Nanos, madje dhe si President. “Rikthimi i Nanos është një risi. Kthimi i tij si president varet nga vrasja e LSI-së me votë më 25 qershor. Varet nga vetëvrasja e Ilir Metës”, tha Bujar Çela në një prononcim për gazetën. Në të njëjtën linjë ka qenë dhe Sadri Abazi, duke deklaruar se dyert për Nanon, qoftë dhe si president janë të hapura. “Nano është në të drejtën e tij. Ai si lider historik ka të drejtë sa të dojë të vijë në PS. Sa i përket termit Nano president, kjo s’është në dorë të tij por në dorë të deputetëve të Parlamentit të Shqipërisë. Por jemi me dyer të hapura për këdo”, tha ai. Edhe aleati i socialistëve, Petro Koçi, deklaroi se rikthimi i Nanos është një gjë shumë pozitive. “Rikthimi i tij, moment emocioni nga socialistët e vjetër. Tregon që tashmë ka një marrëdhënie të ngrohtë mes tij dhe PS-së. Ky është një sinjal që tregon se vlerat historike dhe politike dhe njerëzore duhet të shfrytëzohen, për të marrë mësime të vyera”, tha ai.

Paralajmërimi i Ballës

Një paralajmërim për Ilir Metën ka ardhur dje dhe nga deputeti socialist, Taulant Balla. Në një reagim në Facebook, i kërkoi që të kthejë mbrapsht votat që mori për t’u bërë President. “Ilir, të kemi dhënë votën për t'u bërë president! Por edhe kjo që po bën si President i zgjedhur nuk shkon, sepse po teprohet. Je president i zgjedhur edhe me votat tona, ose na kthe votën dhe bëj çfarë të duash me ish-partinë apo partinë tënde! Jo vetëm s'mund të kërcënosh askënd, dhe ne socialistët jo e jo, po s'mundet as të na fusësh në një luftë politike demode për interesat e LSI”, tha ai. Deklaratat e socialistëve dëshmojnë qartë se ka nisur të diskutohet shkarkimi i Ilir Metës dhe Fatos Nano shihet si figura që mund ta zëvendësojë. Megjithatë mbetet të shihet.

/SOT/