Pasditen e kësaj të premteje, kryeministri Edi Rama, në kuadër të turit “Për bashkinë që duam”, do të ndalet në qendër të qytetit të Durrësit.

Gjatë takimit në Durrës, kryeministri Rama mund të bëjë publik edhe emrin e kandidatit për kryetar bashkie në qytetin bregdetar, emër që deri më tani ka mbetur mister.

Takimi do të zhvillohet në sheshin “Liria” para bashkisë së qytetit, çka ka vënë në lëvizje punonjësit e bashkisë për të pastruar qendrën. Por kjo ka penalizuar edhe fëmijët e vegjël të qytetit, të cilët argëtohen gjatë paraditeve të ngrohta me diell dhe pasditeve, në karuselin që ishte vendosur prej disa muajsh në këtë shesh.

Punëtorët kanë nxituar për ta çmontuar atë, dhe ka nisur ndërkohë puna për zëvendësimin e mjetit argëtues të fëmijëve, me karriget ku do të qëndrojnë socialistët e rritur. Madje sheshi edhe është larë me autobote uji, si rrallëherë më parë…apo vetëm në rastet kur kryeministri viziton Durrësin.