Përmes një deklarate per mediet nga qyteti i Elbasanit, deputetët e PD-së, Ervin Salianji dhe Luçiano Boçi u shprehën se kjo zonë është nën pushtetin e bandave dhe të krimit.

Sipas tyre, policia fsheh kërcënimin dhe djegien e makinës dhëndrit të kryebashkiakut Qazim Sejdini.

Salianji theksoi se ditët e fundit në qytetin e Elbasanit kanë ndodhur ngjarje kriminale të rënda, të cilat jo vetëm e bëjnë qytetin të lëngojë në pushtetin e bandave dhe kriminelëve me mbështetje politike, por e kthejnë edhe policinë e shtetit si një shërbëtore të fëlliqur të bandave dhe të kriminelëve, të cilët, pasi terrorizojnë qytetin dhe gjuajnë me armë në mes të qytetit, siç ka ndodhur dje, Policia e Shtetit jo vetëm që nuk ekziston, jo vetëm që shërben vetëm për të mbrojtur dhe mbuluar ngjarjen e tmerrshme kriminale, por shërben edhe për të fshehur provat e krimit apo për të mos bërë publike ngjarjen.

Reagimi:

E njëjta situatë ka ndodhur edhe javë më parë, kur bandat kërcënojnë dhe djegin makinën dhëndrit të kryetarit të Bashkisë Qazim Sejdini dhe, po njësoj, Policia e Shtetit nuk bën asnjë lajmërim dhe fsheh ngjarjen.

Situata e qytetit të Elbasanit sot, i cili është i zaptuar nga krimi dhe nga banditët, nuk mund të vazhdojë më në këtë mënyrë.

Qytetarët dhe ne, Partia Demokratike, do ta çlirojmë qytetin e Elbasanit, ashtu si çdo qytet tjetër në Shqipërinë dhe të gjithë Shqipërinë nga lidhjet e bandave me pushtetin politik dhe kriminal pavarësisht sesa miliona kanë bërë, pavarësisht sesa prona ata kanë vendosur në emrin e tyre apo të miqve të tyre nuk do t’i gëzojnë dot, por do t’i kthehen qytetarëve dhe qytetit të Elbasanit, një prej qyteteve më fisnike dhe të nderuara të Shqipërisë.

Pyetje: Çfarë të dhënash ka Partia Demokratike në lidhje me ngjarjen e mbrëmshme?

Salianji: Qytetarët kanë lajmëruar në Partinë Demokratike si institucioni më i besueshëm sot në Shqipëri, kanë sjellë informacione, kanë sjellë video dhe audio se si dëgjohen në shtënat me armë në mes të qytetit duke u shkëmbyer nga makina në makinë me armë të tipit të rëndë, kallashnikov apo automatik. Policia e Shtetit ashtu siç edhe ju paskeni marrë informacion, e fsheh ngjarjen në mënyrë të turpshme duke u bërë pjesë  e njërës prej bandave që në fakt është banda e pushtetit të Edi Ramës, Qazim Sejdinit dhe Taulant Ballës.