Kryedemokrati Lulzim Basha deklaroi këtë të premte para gazetarëve se opozita ka vendosur që të çojë deri në fund procesin e Reformës Zgjedhore, duke thënë se kjo është e vetmja mundësi që shqiptarëve t’u jepet e drejta për zgjedhje të lira dhe për të larguar Edi Ramën nga qeveria.

Ai u shpreh se PD nuk e ka braktisur tryezën e “Zgjedhores”, por mbledhja e 18 majit erdhi një ditë pas shembjes së Teatrit Kombëtar, kur po rriheshin njerëzit në rrugë.

I pyetur nëse do të pranonte të ulej në një tryezë të përbashkët politike të propozuar nga Presidenti Ilir Meta, kreu i selisë blu u përgjigj negativisht.

Pas reagimit të Bashës, Ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim tha se e mirëpret vendimin e opozitës, ndërsa bëri thirrje që dhe palët e tjera politike të tregojnë këtë lidership.