Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj ka bërë me dije se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Ministrin e Jashtëm të Holandës, Stef Blok.

Diskutimi kryesor mes dy homologëve ishte rruga evropiane e Shqipërisë, për të cilën Cakaj e informoi hollësisht Blok mbi përparimin që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e detyrimeve të nevojshme për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare.

“Sapo zhvillova një bisedë të shkëlqyer me Ministrin e Jashtëm të Holandës, z. Stef Blok!

Çështja kryesore e bisedës sonë ishte rruga evropiane e Shqipërisë. E informova hollësisht mbi përparimin që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e detyrimeve të nevojshme për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare. Përkushtimi ynë është i plotë, për të mbyllur të gjitha detyrimet e nevojshme, për të përparuar në procesin e negociimit të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Përderisa mbetet ende punë për t’u bërë, vlen të theksohet se Holanda vlerëson pozitivisht arritjet e deritanishme të Shqipërisë në pesë prioritetet kyçe dhe vazhdon ta mbështesë procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian në Ballkanin Perëndimor.

Shqipëria do të vazhdojë vetëm përpara e drejt Bashkimit Evropian”, shkruan Cakaj në Facebook.