Në një përpjekje nuk dihet sa të sinqertë për të mburrur Lulzim Bashën, Ilir Meta ka prekur sot thembrën e tij të Akilit. Ai e ka lavdëruar atë për vendimin e guximshëm për të hequr dorë nga sllogani kryesor, ai i zgjedhjeve pa Ramën kryeministër dhe për të shkuar me një qeveri teknike drejt garës elektorale. “Unë këmbëngula dhe opozita bëri një lëshim shumë të madh duke më dëgjuar”, tha kreu i shtetit.

Pra, si pa dashje, ai kujtoi se PD ishte tërhequr nga sllogani mbi të cilin i yshti njerëzit e saj të godisnin me molotov, shumë prej të cilëve provuan qelitë e ashpra ë këtij regjimi, vetëm për këtë shkak. Sepse PD e kishte një vijë të kuqe të pa negociueshme qëndrimin: “nuk ka zgjidhje me Ramën kryeministër, ajo kalon përmes një qeverie tranzitore”.

Madje, në fillim të majit 2019, ajo paraqiti një program urgjent prej dhjetë pikash që do ta realizonte një kabinet pa Edi Ramën, i cili do të zhdukte lidhjet e policisë me krimin, abuzimet me listat e zgjedhjeve, punësimet në ndërmarrjet shtetërore dhe të tjera masa burokratike, si regjistrimin e adresave dhe pajisjen me letërnjoftime.

Asgjë nga këto nuk u mor parasysh, dhe papritmas ne ditët e fundit para 30 qershorit, opozita u tërhoq nga rruga radikale dhe nga përbetimet për moslejimin e zhvillimit të zgjedhjeve moniste. As Basha as Kryemadhi nuk e mbajtën dot mbi supe të qenit të shantazhueshëm nga ndërkombëtarët.

Kush i ka ndjekur me vëmendje tezat dhe fjalorin e opozitës në vjeshtën që pasoi zgjedhjet lokale, nuk e pati të vështirë të dallonte një ndryshim jo të vogël. Të dyja kushtet e pa negociueshme u rrëzuan. Askush nuk e përmendte më as largimin e Edi Ramës dhe aq më pak një qeveri teknike, tranzitore apo ekspertësh, që do të qëndronte një periudhë relativisht të gjatë dhe do të përgatiste disa standarte, jo vetëm për zgjedhje të ndershme, por edhe për një shoqëri më të ekuilibruar, për kontroll më të madh pushtetesh, për një sistem të ndryshëm zgjedhor dhe për korigjime të nevojshme kushtetuese.

Dukej sikur PD dhe LSI mezi prisnin të hynin nga si skutha nga penxherja, në një parlament që e patën braktisur denjësisht duke përplasur derën.

Nuk vonoi shumë dhe kjo ndodhi duke përdorur si alibi ndërkombëtarët dhe duke nënshkruar marëveshjen e 14 janarit, e cila nën këndvështrimin e opozitës e zëvendësonte parlamentin ilegjitim me tryezën e këshillit politik. Po ta shikosh nga këndvështrimi i sotëm dhe me ato që Rama po bën me ndryshimin e Kushtetutës dhe Kodit në kuvend, e ke të lehtë të kuptosh se sa trashanike ishin gënjeshtrat propogandistike të opozitës në atë kohë.

E megjithatë duke besuar tek kjo fabul, duke shpresuar se ndërkombëtarët do ta garantonin po të luante djalin e mirë, Basha harroi përbetimet për republikën e re, ato për përmbysjen e rregullave të lojës, zotimet për t’i dhënë më shumë peshë votës së qytetarëve, qoftë për zgjedhjet e përgjithshme, qoftë për ato lokale, qoftë për presidentin nga populli apo për rivitalizimin e referendumeve.

Madje ai shkeli edhe mbi një vijë tjetër të kuqe, atë për të mos negociua zgjedhjet me të akuzuarin e Dibrës, Damian Gjiknurin.

Ai nuk u mjaftua me kaq,  pas pranimit të tryezës me PS-në Basha ironizoi me kritikët e tij që e akuzuan për tradhëtimin e rrugës radikale. “Kush është kundër fillimit të këtij procesi, ose paguhet nga Rama, ose është naiv i gënjyer nga propaganda e tij, ose ka një qasje revolucionare dhe jo europiane për ndryshimin e Shqipërisë” tha ai pas marëveshjes së janarit 2019.

Dhe për pak kohë u duk sikur pati të drejtë. Me marrëveshjen e 5 qershorit, opozita bëri një hap të madh përpara për sigurinë e zgjedhjeve, duke siguruar identifikimin biometrik të zgjedhësve.

Por gjithçka qe e përkohshme. Sepse me autokratët nuk funksionon kurrë, as rruga e marëveshjeve, as ajo e tërheqjes. Ata i shfrytëzojnë ato për të përfituar më shumë. Vetë Basha e pati kuptuar këtë kur deklaroi publikisht në sy të Ramës: “Po më gënjeve prapë, turp për mua”.

Në fakt gënjeshtra ndodhi, ndërkombëtarët nuk e ndalën dot dhe Rama e shkeli me të dy këmbët edhe premtimin për vendimarrje konsensuale edhe garancinë për të përdorur si arbitër OSBE -ODHIR.

Ai e ndryshoi në mënyrë të njëanshme kushtetutën duke u bërë gati që të ndryshojë po kështu dhe kodin zgjedhor.

Pra, po të bëhet një krahasim i synimeve të Bashës kur ai qe në kulmin e rrugës radikale dhe asaj që ka arritur sot, ai është katastrofik.

Në zgjedhje do të shkohet pa qeveri teknike dhe me Ramën kryeministër, pa lista të hapura, pa referendume që i japin zë votës së qyttarëve, pa president nga populli.

Nderkohë rugës kanë rënë edhe fitoret e rreme për të zëvendësuar parlamentin ilegjitim me këshillin politik, garancië e 14 janarit për regulla loje që do të ndryshoheshin bashkarisht dhe nënshkrimi i 5 qershorit që duhej të mbetej i paprekur.

Ndaj, kur Ilir Meta e lavdëron sot Bashën që hoqi dorë nga zotim për zgjedhje pa Ramën, ai vë gishtin në plagë, duke i kujtuar “tradhëtine” themelore që do të determinonte të gjitha humbjet që do të vinin rugës më pas. Sepse nuk ka kurrth më të rrezishëm sesa të besosh se do të fitosh duke u tërhequr në betejën me një diktator.

Burimi: Lapsi.al