Teksa pandemia Covid-19 vijon të përhapet me shpejtësi në të gjithë vendin tonë, Ministria e Shëndetësisë kërkon që të marrë masa të tjerë për të frenuar infektimet.

Së fundmi përveç Universiteteve është kërkuar që edhe në shkollat fillore dhe të mesme të nisë mësimi online.

Lajmi është bërë i ditur nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, me anë të një mesazhi për mediat, ku thekson se pas rekomandimeve të Komitetit Teknik të Ekspertëve i është rekomanduar më pas Ministrisë së Arsimit që mësimi në shkolla të bëhet i alternuar.

Pra mësimi do të zhvillohet, në formën klasike por edhe online. Sipas Manastirliut, kjo praktikë do të nisi që në datë 1 dhjetor.

“Ashtu si e kemi përsëritur shëndeti juaj dhe i fëmijëve është i pari. Deri tani fëmijët nuk vlerësohen të jenë transmetues të lartë i infeksionit. Protokollet në shkolla janë zbatuar, por për të minimizuar risqet ku të pranishme janë edhe infeksionet e tjera respirator, pas rekomandimit të Komiteti të Ekspertëve kemi vendosur që ti rekomandojmë ministrisë së Arsimit që prej datë 1 dhjetor të aplikojmë skenarët me mësim të alternuar, klasike, fizike dhe të kombinuar me mësim online. Bazuar në specifikat e situatës lokale të epidemisë”, tha Manastiruliu ndër të tjera.

Tashmë pritet që Ministria e Arsimit të miratojë dhe të vërë në zbatim rekomandimet e bëra nga Komiteti Teknik i Ekspertëve dhe Ministria e Shëndetësisë.