Kryeministri Edi Rama ka inspektuar pasditen e sotme një nga pallatet me dëme DS4 në Durrës, ku pritet të nisin punimet për riforcimin e godinës. Godina 5 katëshe ka pësuar dëmtime të rënda nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 dhe 37 familje jetojnë me qira që nga ajo kohë.

I shoqëruar nga kryebashkiakja në detyrë e Durrësit, Emiriana Sako dhe Ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj, kryeministri pa nga afër pallatin e dëmtuar, ndërsa theksoi se me riforcimin e tij, qytetarët do të mund të rikthehen në shtëpitë e tyre dhe të hiqen nga lista e bonusit të qirasë.

Kryebashkiakja Sako tha se po ngrihet kantieri i ndërtimit, pasi pallatit do t’i prishet e gjithë muratura dhe do t’i bëhet nga e para. Ndërkohë ajo bëri të ditur se janë dhe 5 pallate të tjerë ku mund të fillojnë së shpejti punimet.

“Kemi 5 projekte të përfunduara për pallate të tjera DS4 që kanë shkuar për oponencë pranë Institutit të Ndërtimit”,– tha Sako.

Ndërsa kryeministri theksoi se puna me pallatet DS4 është vonuar për shkak të dëmeve të mëdha që kanë këto godina dhe projekteve të detajuara që kërkojnë.

“Prej shumë kohësh, ata që e kishin pallatin me dëme DS4 me të drejtë prisnin me padurim punimet. Tani po nis me katër projektet e para rindërtimi i pallateve me dëmtime të rënda DS4. Natyrshëm DS4 kërkon më shumë kohë sepse bëhet fjalë për projekt shumë të detajuar sepse dëmet janë të rënda dhe ajo që mbetet është vetëm struktura”.- tha kreu i qeverisë.

Aktualisht janë 4 objekte DS4 ku do të nisë puna për riforcimin e tyre, dy në Durrës dhe dy në zonën e plazhit.