Kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat nga godina e Ministrisë së Brendshme së bashku me drejtuesit e Policisë së Shtetit, për të dhënë një mesazh të qartë: goditjen ndaj krimit dhe të mos ndikohen nga akuzat e opozitës, të cilat i konsideron shpifje.

“Kam kërkuar sot që të flas me ju dhe përmes jush me të gjithë punonjësit e Policisë së Shtetit. Mbi publikun dhe për fat të keq edhe mbi Policinë e Shtetit është ndërmarrë një ofensivë shpifjesh. Bota demokratike i njeh me emrin lajme të rreme që përhapen falë kanaleve dixhitale. Për botën është diçka e re.

Për ne e re është vetëm përmasa sepse lajmi i rremë, shqip shpifja, ka qenë mes nesh në faqet e para të gazetave dhe në edicionet informative të mediave tradicionale. Kam ardhur këtu sepse dalldia e shpifjeve nuk duhet të ndikojë në asnjë mënyrë në punën tuaj.

Jam këtu se shpifjet meritojnë një kundërpërgjigje, dhe si kundërpërgjigje, shumëfishimin imediat të goditjeve ndaj krimit dhe ndaj cdo shkelësi të ligjit. Që nga të fortët e llojit të atyre që sollën përgjakje në ish-Bllok në Tiranë.

Lufta e egër politike dhe mediatike për të krijuar perceptimin e kundërt, as do ndalet, vetëm do përshkallëzohet. Quhet luftë e dëshpëruar për pushtet”, tha Kryeministri.

Dhe për të treguar se numri i ngjarjeve kriminale këtë vit është ulur, Rama publikoi edhe statistikat e viteve të kaluara. Kryeministri u shpreh se vitin e kaluar ka patur më shumë vrasje se e njëjta periudhë e këtij viti.

“Ka pasur më shumë vrasje vitin e shkuar, por është folur shumë më pak për krimin dhe vrasjet seç flitet sot. 40 vrasje sivjet, 43 vjet në të njëjtën periudhë. Po dhe më shumë parvjet, 54. Po dyfish, 84, në Janar – Shtator të 2013. Mirëpo ja që sot ka nisur një kujë e zezë”, shtoi Rama.