Ministri i Brendshëm Taulant Balla është personi i parë që do të dëshmojë sot në Komisionin Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit “TIMS”.

Por, dëshmia e tij nuk do të transmetohet për mediat, pasi vet Balla e ka kërkuar këtë nëpërmjet një shkrese zyrtare drejtuar këtij komisioni.

Ministri thotë se informacionet që ai do të paraqesë në këtë komision janë të klasifikuar si “sekret shtetëror” dhe se anëtarët e komisionit duhet të jenë të pajisur me Certifikatë Sigurie Personeli.

Për këtë arsye, Balla thotë se dëshmia e tij nuk mund të bëhet e ditur për qytetarët. Balla vlerëson gjithashtu që mbledhja të zhvillohet me dyer të mbyllura në përputhje me detyrimet ligjore për mbrojtjen e këtij informacioni. Në kërkesën e tij ai sjell në vëmendje gjithashtu, se çështja “TIMS” është objekt hetimi penal e për pasojë të dhënat nuk mund të bëhen publike për shkak të nevojave hetimore që lidhen me këtë procedim penal në proces e sipër.

Më dyer të mbylluar do të japin dëshminë e tyre edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku dhe ish-drejtori i Departamentit të IT në Policinë e Shtetit, Ervin Muça, ky i fundit ndodhet në arrest shtëpie për çështjen e rrjedhjen e të dhënave nga sistemi TIMS.