Rikthehen zgjedhjet e komanduara në strukturat drejtuese të Ps-së së Durrësit. Megjithëse prej kohësh forumi i gruas socialiste kishte mbetur pa kryetare, strukturat drejtuese nuk morën masat të zhvillonin një votim të paktën formal. Kryetarja e re, Drita Zeneli, u zgjodh unanimisht pa pasur nevojë për votim, praktikë kjo që aplikohej edhe në kohën e pushtetit popullor megjithëse rezultati dihej që do të dilte 99.9%.

Ndërsa kryetari i partisë së tyre, Edi Rama takohej me deputetet femra, gratë dhe vajzat socialiste u mblodhën për të zgjedhur kryetaren e forumit të tyre. Kandidatet në garë ishin drejtoresha e burimeve njerëzore në bashki, Drita Zeneli dhe nëndrejtoresha e shkollës jopublike “Talenti”, Veziko Kerraj.

Megjithëse nga burime brenda PS-së pati qarkulluar edhe emri i mjekes Fatbardha Reka, ajo nuk u përfshi në garë, duke i cilësuar zërat për kandidimin e saj si thashetheme. Para mbajtjes së takimit të së shtunës, qe përfolur se edhe kandidatja Kerraj ishte tërhequr, kështu që dihej që më parë se Zeneli do të ishte kryetarja e re e forumit të gruas socialiste për Durrësin.

Pavarësisht faktit se Zeneli mund të gëzojë mbështetje të fortë brenda anëtarësisë apo nga krerët drejtues të saj mbajtja e zgjedhjeve, qoftë edhe në mënyrë formale, nxirrte në pah demokracinë e brendshme për të cilën PS dhe kryetari i saj kanë trumbetuar sa herë. Zgjedhja e Zenelit, pjesë e stafit të bashkisë së kryetarit Dako, duket se vërteton edhe më shumë zërat që qarkullojnë se de juro PS-ja e Durrësit drejtohet nga kryebashkiaku.

Në fjalën e mbajtur para anëtarësisë Zeneli nënvizoi se kontakti i afërt dhe i vazhdueshëm me gratë dhe vajzat do të jetë pika kryesore ku do të mbështetet puna e forumit të gruas. “Është e rëndësishme të shkojmë pranë ndërmarrjeve ku gratë punojnë, të bashkëbisedojmë me gratë dhe vajzat në rrjete sociale apo forumet e ndryshme online.

Një pikë tjetër e rëndësishme është organizimi i workshop-ve apo pjesëmarrja në seminare të ndryshme të organizuara nga shoqatat e grave. Ne duhet t’i kushtojmë një kujdes dhe rëndësi të veçantë kategorive të grave dhe vajzave me probleme të ndryshme sociale, duke dhënë ndihmesën tonë, për zgjidhjen e problemeve të tyre”,- tha Zeneli.