Afro 264 mijë tonë çimento, prodhuar në vendin tonë, janë nisur me anije nga Durrësi drejt porteve të tjera gjatë 10-mujorit të parë të këtij viti. Shifra është rreth 5.8 herë më e madhe se sa sasia e eksportuar gjatë 10 muajve të parë të vitit 2016.

Mallrave që janë përpunuar në portin më të madh të vendit me destinacion portet e tjera të Mesdheut i shtohen zinku, kromi dhe squfuri, që të gjithë mallra rifuzo të cilat përpunohen në Terminalin Lindor.

Eksportet me anije dhe tragete kanë shënuar një rritje prej 20 për qind krahasuar me vitin e kaluar, duke regjistruar një sasi prej 1 milion e 123 mijë tonë mallra të përpunuar në 10 muaj, bëhet e ditur nga Sektori i Statistikave në APD.

Ndërkohë vendin e parë për importet gjatë këtij 10-mujori e zë koksi rifuzo me afro 198 mijë tonë, e më pas gruri me 124 mijë tonë.

Plehrat bujqësore si nitrat apo pleh kimik arrijnë shifrën e përgjithshme prej afro 90 mijë tonë.

Melamina dhe xhamat shënojnë një sasi të përgjithshme mbi 100 mijë tonë, ndërsa llamarina, blloqet e mermerit dhe tubat e profilet e importit arrijnë shifrën prej rreth 88 mijë tonë gjithsej.

Importet me anije dhe tragete kanë tejkaluar shifrën prej 1 milion e 956 mijë tonë mallra në 10 muaj, me një rritje prej 3 për qind, krahasuar me 10-mujorin e vitit 2016.