Më shumë se 1,12 milionë tonë mallra janë përpunuar gjatë 9-mujorit të parë të këtij viti nga 327 anijet e akostuara në dy Terminalet e dedikuara përpunimit të mallrave në portin e Durrësit.

Nga të dhënat statistikore, mësohet se në Terminalin Perëndimor që administrohet nga Autoriteti Portual janë përpunuar nga anijet afro 582 mijë tonë mallra, pjesa më e madhe e të cilave mallra importi. Në këtë Terminal janë përpunuar 218 anije me mallra importi dhe eksporti, si grurë, melaminë, xhama, plehra kimike, hekur, gurë mermeri, llamarinë, etj.

Ndërkaq në Terminalin Lindor gjatë periudhës janar-shtator janë përpunuar 109 anije gjithsej, me afro 540 mijë ton mallra të ndryshme. Nga burimet statistikore mësohet se në Terminalin Lindor janë përpunuar 129,125 ton mallra për eksport, kryesisht çimento “made in Albania”.

Gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti në të dy këto Terminale janë përpunuar 140 mijë tonë mallra importi me drejtim për në Kosovë.

Të dhënat e plota mbi përpunimin e mallrave në portin e Durrësit gjatë periudhës janar-shtator 2019 do të mësohen pas paraqitjes së volumeve të mallrave edhe në Terminalin e Kontejnerëve dhe Terminalin e Trageteve.