Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një reformë të re digjitale për punësimet në administratën publike përmes platformës e-Albania.
Gjatë mbledhjes me socialistët, ai bëri me dije se përzgjedhja do të bëhet me një “pasaportë merite” dhe testime digjitale plotësisht automatike për të eliminuar ndërhyrjet politike. Në këtë proces, sistemi njofton vetë për vendet e lira të punës, ndërsa vlerësimi i provimeve kryhet në mënyrë anonime.
“Shkalla e meritës do të hapë një derë e cila do të rrijë hapur, përmes e-Albania, ku qytetari dhe i riu që do, kudo që është nënshtetas i Republikës së Shqipërisë, të paraqitet dhe të regjistrohet me një pasaportë merite të tijën. Sistemi, jo deputeti, sistemi vetë, pa urdhër, lajmëron për vendet e lira të punës. Kjo është një hapje e rrugës për të gjithë ata që duan të hyjnë.
Provimi bëhet digjital. Ti nuk ke nevojë të njohësh dhe të vish. Kush mendon që do e shtyjë siç e ka shtyrë deri tani e ka gabim, sepse do hajë një të shtyrë që të pyesë veten se ku është fundi, se që rashë, rashë. Banka e pyetjeve trajtohet nga sistemi, nuk mund të marrësh pyetjet më përpara, vlerësuesit janë të verbër fare, sepse nuk e kanë idenë fare se kë po vlerësojnë. Natyrisht që vendimi certifikohet nga komisioni përkatës, por bëhet shumë e pamundur, që të përmbyset.”
Nisma bazohet në praktika ndërkombëtare të përshtatura me realitetin shqiptar dhe shoqërohet nga mekanizma si “BESA” dhe “Pasqyra”. Ndërkohë, zbatimi i nismës “Prania Besnike” nis zyrtarisht këtë të premte në orën 17:00 në të gjithë vendin.
“Pasqyra” do të kërkojë kohën e vet të ndërtimit, por do të kërkojë kohën e vet që të hyjë në proces. “BESA” po kërkon kohën e vet. “Prania Besnike” do të fillojë këtë të premte, në orën 17:00 në të gjithë Shqipërinë. Natyrisht që gjithë kjo punë e bërë bazohet në kërkim të thelluar, nuk ka shpikje, ka vetëm praktika të ndryshme ndërkombëtare, që funksionojnë në vende të tjera, por të përshtatura me realitetin tonë dhe me problematikat tona.”





