TIRANE, 22 mars 2013– Kreu i shtetit Bujar Nishani ka uruar sot të gjithë besimtarët bektashinj për festën e Sulltan Nevruzit.

Në mesazhin e tij, presidenti Nishani është shprehur marrëdhënia e shqiptarëve me Bektashizmin ka qenë gjithmonë një marrëdhënie magjepsëse, shumëdimensionale, sa shpirtërore, shoqërore, edhe utilitare.

“Bektashizmi i ka shërbyer në shekuj shqiptarëve si çimento lidhëse për të bërë të mundur drejtpeshimin shpirtëror përbrenda vetes, sa edhe për të ruajtur ekuilibrat, me njëri-tjetrin si dhe mes Bektashizmit dhe besimeve të tjera. Përqafimi i Bektashizmit prej shqiptarëve nuk është thjesht çështje misionarësh të zotë që u nisën prej diku e mbërritën diku tjetër për të përhapur një besim” ka theksuar presidenti.

Sipas kreut të shtetit, në themel të kësaj dukurie mrekullibërëse janë një numër cilësish të përbashkëta mes Bektashizmit dhe shqiptarëve të cilat janë disiplina dhe toleranca, kryelartësia dhe përulja, aftësia për të qenë në të njëjtën kohë edhe pjesë e diçkaje më të madhe edhe diçka e mëvetëshme.

“Popullarizimi i Bektashizmit ndër shqiptarë është rast i rrallë i një përshtatshmërie perfekte për t’u zhvilluar, begatuar e përsosur përmes peripecive mundonjëse dhe vuajtjeve të shumta. Duke gëzuar këtë festë, duke kryer ritin e saj, të urojmë njëri- tjetrin për më shumë mirësi, për më shumë begati, për më shumë harmoni” përfundon urimi i presidentit Nishani.