Kreu i Partisë Demokratike në Durrës, Igli Cara ka komentuar prezantimin e planit që do të bëhet mbrëmjen e sotme për menaxhimin e zonave arkeologjike A dhe B të qytetit.

Në një postim në rrjetet sociale, Cara shkruan se në këtë aktivitet janë përjashtuar banorët e zonës, shoqëria civile, opozita dhe media.

Ndër të tjera, kreu i PD Durrës shtron pyetjen: Çfarë nuk duhet të dinë banorët e Durrësit, për fatin e qytetit të tyre, që ky prezantim kaq i rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e tij po zhvillohet në fshehtësi të plotë?!

Postimi i plotë:

Mbrëmjen e sotme në ambjentet e Muzeut Arkeologjik Durrës do të prezantohet plani i menaxhimit të zonave arkeologjike A dhe B të qytetit.

Çuditërisht në listën e të ftuarve mungojnë grupet e interesit. Banorët e zonës, ata që preken drejtpërdrejtë nga zbatimi i këtij projekti, ngrejnë supet përballë këtij fakti, duke u shprehur se nuk kanë dijeni për këtë takim.

Në të njëjtën kohë është përjashtuar nga ky aktivitet i organizuar deri në detaje, shoqëria civile, opozita dhe media.

Në këto kushte natyrshëm lind pyetja:

– Çfarë nuk duhet të dinë banorët e Durrësit, për fatin e qytetit të tyre, që ky prezantim kaq i rëndësishëm për zhvillimin dhe të ardhmen e tij po zhvillohet në fshehtësi të plotë?!

Për më tepër, dhjetë minutat e planifikuara për pyetjet dhe përgjigjet përshkruajnë me saktësi “suksesin” e këtij takimi, që ka si qëllim një vizion të ri për menaxhimin e aseteve arkeologjike të Durrësit.

Në fund të fundit, për këtë qeveri, çudia më e madhe, tri ditë zgjat!