Privatizimi i shërbimeve dhe dhënia me konçesion i terminaleve portuale operatorëve privatë shoqërohet me frikën e punonjësve për humbjen e vendit të punës. APD në strukturën e saj numëron rreth 650 punonjës. Megjithëse Autoriteti Portual thekson se do të respektohen kontratat e punës të lidhura me secilin punonjës shumica e tyre i trembet shkurtimeve që mund të bëjnë në personel kompanitë që do të privatizojnë shërbime të caktuara.

Ndër shërbimet e para që u privatizuan ishte Transporti Detar, sektori i Ngarkim-Shkarkimit, shërbimi i mirëmbajtjes së pajisjeve, i cili u fitua nga kompania austriake Kalmar. Pas privatizimit të këtij shërbimi më shumë se 50% e punëtorëve dolën në reformë. Nga 102 të punësuar kompania mbajti vetëm 40 prej tyre. Një vit më parë kompania Kurum mori me  konçesion terminalin e konteinerëve, por privatizimi i tij nuk ëhstë bërë ende, pasi kompania turke është në kërkim të një partneri biznesi.

Përveç administratës së Autoritetit Portual, e cila numëron rreth 130 punonjës dhe Forcës së Sigurisë Portuale që ka në organikën e saj gjithashtu 130 punonjës të gjitha shërbimet e tjera në Portin e Durrësit janë privatizuar ose janë drejt privatizimit. Në procedurë tenderimi janë Terminali i mallrave rifuxho në kalatën Lindore, shërbimet në terminalin e pasagjerëve, shërbimi i mirëmbajtjes së mjeteve etj. bëjnë me dije burime zyrtare nga Autoriteti Portual i Durrësit.

Në total vetëm rreth 260 punonjës i konsiderojnë tani për tani të sigurta vendet e punës, ndërkohë që të tjerët janë në pritje të përfundimit të procesit të privatizimeve, për të kuptuar nëse do të qëndrojnë ose jo.

Privatizimet që nisën vite më parë me shërbimin e transportit detar, ngarkim–shkarkimin, mirëmbajtjen e vinçave e bazës mekanike etj. u shoqëruan me shkurtime drastike nga puna. “Tendenca është që brenda pranverës së ardhshme të gjitha shërbimet të jenë të privatizuara, sepse kompanitë private i menaxhojnë më mirë burimet dhe të ardhurat, por njëkohësisht edhe rrisin konkurencën midis tyre”,- pohojnë burime nga Autoriteti Portual i Durrësit.     

Privatizimet 

Privatizimet në portin e Durrësit janë në proces e sipër. Pas vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 2003, që i hapi rrugë privatizimit të shërbimeve dhe dhënies me konçesion të hapësirave portuale Porti i Durrësit i është nënshtruar transformimeve të mëdha.  Në proces tenderimi aktualisht në portin më të madh në vend janë mirëmbajtja e infrastrukturës elektronike dhe asaj civile. Deri në fund të këtij viti është parashikuar nga APD që të gjithë këto procese të tenderohen për t’i kaluar privatit.

Shërbimi i mirëmbajtjes së infrastrukturës është parashikuar që të privatizohet deri në fund të 2012, ndërkohë që privatizimi i terminalëve është në përfundim e sipër. Në procedurë tenderuese në Ministrinë e Transporteve është terminali i kalatës lindore dhe ai i çimentos. Porti po përgatit në bashkëpunim me konsulentë të huaj edhe privatizmin e dy terminalëve të tjerë atë të trageteve dhe të mallrave të përgjithshme. Shërbimet e kryera nga privatët pretendohet se janë më të lira, më të shpejta e më cilësore se sa ato të ofruara nga operatorët shtetërorë. Për këtë arsye çdo shërbim portual po shkon drejt privatizimit.