Meta po planifikon të ndërtojë kabllon më të madh nënujor që synon të ndërlidhë SHBA, Indinë, Afrikën e Jugut, Brazilin dhe vende të tjera. Kompania mëmë e Instagram, Facebook, WhatsApp dhe Threads do të ndërtojë një kabllo 50.000 kilometra, më e gjatë sesa perimetri i Tokës, për t’i bërë Inteligjencën Artficiale dhe teknologjitë e reja të  prekshme nga të gjithë. Projekti Waterworth do të hapë “tre korridore të reja oqeanike me ndërlidhje të shpejtësisë së lartë që nevojitet për të dërguar risinë e IA në botë”, është shprehur Meta.

Kabllot nënujore përshkruhen si “shtylla kurrizore e internetit” nga Global Digital Inclusion Partnership,  një grup që synon që deri në vitin 2030 popullsia e botë të ketë akses në internet.

Grupi raporton se rreth 95%  e trafikut të internetit kalon përmes këtyre kabllove, por aksesi në të s’është i plotë, çka ndikon në grupet më të margjinalizuara të shoqërisë. Meta ka ndërtuar deri më tani 20 kabllo nënujore, ndërsa Elon Musk po përdor satelitë për të rritur lidhjen e internetit.

Megjithatë, Starlink ka një tjetër qëllim sepse ndërlidh me internet zonat e largëta ku është e vështirë të arrijë një kabllo. Projekti i ri i Meta parashikohet të kushtojë miliarda dollarë dhe do të duhen vite për ta realizuar.  kompania e ka përshkruar si “sipërmarrja më ambicioze nënujore deri më tani”.