TIRANE-Parashikimi i fisit Maya, që thoshte se data 21 dhjetor do të shënojë fundin e botës, megjithëse është hedhur poshtë së fundmi nga ata që e nxorën, ka trazuar shumë mendje njerëzish, përfshirë këtu edhe ato të gjimnazistëve. Frika e përmbysjes së botës më 21 dhjetor, ka bërë që gjimnazistët e Tiranës të hartojnë një peticion, që "dita e madhe" t'i gjejë në shtëpi. Letra në fjalë do t'u dërgohet drejtorive të gjimnazeve dhe drejtorisë arsimore në Tiranë, ditën e premte, pas mbledhjeve që zhvillojnë senatorët. Nisma është ndërmarrë në fillim nga gjimnazistë të "Partizanit", të cilët, përmes një faqeje në Facebook, e kanë shpërndarë këtë ide tek të gjithë bashkëmoshatarët e tyre kryeqytetas. Në komentet e bëra në këtë faqe, senatorët e gjimnazeve më në zë të Tiranës, zotohen se do të bëjnë të pamundurën që ta realizojnë synimin e tyre. Sipas komentuesve të rinj, në rast se 21 dhjetori nuk do të shënojë fundin e botës, sikundër flitet, këto orë mësimore do të zëvendësohen gjatë fundjavës, siç është bërë në raste festash jozyrtare. Gjimnazistë të tjerë komentues thonë që edhe në rast se drejtoritë e gjimnazeve, me në krye drejtorinë arsimore, nuk do ta pranojnë këtë propozim, ata gjithsesi do ta bëjnë pushim, duke marrë përsipër riskun e mungesave… Të kontaktuar nga "Gjimnazistët", adoleshentë të Tiranës pranojnë se ndihen pak të frikësuar për këtë datë, sidomos pas publikimeve të fundit të NASA-s, të cilat flasin për tri ditë terr.
Fisi Maya
Duke u bazuar mbi kalendarin e Maya-ve, epoka aktuale e Floririt (e pesta), do të mbarojë në 21/12/2012. Katër epokat e mëparshme (e Ujit, e Ajrit, e Zjarrit dhe e Tokës) kanë përfunduar duke shkaktuar ndryshime të mëdha ambientale. Por ky ka qenë parashikimi i parë i fisit Maya; së fundmi ka dalë përfundimi se nuk do të ketë një fund për botën në 21 dhjetor të këtij viti.
NASA
Më datë 21 dhjetor 2012, toka do të futet në një unazë të palëvizshme satelitore të quajtur rripi fotonik dhe në orën 01:00 pas mesnate me orën kolumbiane do të ketë errësirë totale, e cila do të zgjasë 3 ditë rresht. NASA e konfirmoi këtë më datë 5 dhjetor 2012. Errësira do të mbulojë gjithë planetin dhe do të jetë më ftohtë, edhe pse mund të ndriçojë ndonjë rreze drite gjatë kësaj kohe. Asgjë s'do ndodhë, është vetëm një fenomen jashtëzakonisht i rrallë që ndodh çdo 11 milionë vjet. Si pasojë e kësaj mund të ketë shkëputje të elektricitetit. Kjo është ajo ngjarje së cilës kalendari Maya i referohej në të vërtetë, – një rreshtim i pazakonshëm planetësh.
Mësuesit
Nxënësit kërkojnë arsye për të lënë mësimin Për suplementin e së mërkurës janë prononcuar edhe disa mësues, të cilët, pa dashur të na tregojnë emrat e tyre, na thanë se në të vërtetë fundi i botës është me shekuj larg, e se fëmijët, megjithëse pak të frikësuar nga informacionet e publikuara, e dinë që parashikimet e Maya-ve nuk janë të vërteta. "E gjitha kjo bëhet për të pasur një ditë më shumë pushim. Mjafton një sebep i vogël, që ata të shpëtojnë nga orët e mësimit", – thotë një mësuese e biologjisë në gjimnazin "Ismail Qemali".