Dhjetë persona janë proceduar penalisht nga policia e Tiranës pasi organizuan protestë kundër vaksinimit të detyeshëm. Ata akuzohen edhe për thirrje publike për veprime të dhunshme dhe pengim të qarkullimit të mjeteve.

Ata zhvilluan një protestë të paligjshme tek sheshi “Nënë Tereza” dhe më pas janë zhvendosur në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, ku kanë bërë thirrje publike për veprime të dhunshme.

“Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 1 proceduan në gjendje të lirë për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Thirrje publike për veprime të dhunshme” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit” shtetasit:

A.G., 51 vjeç, A. B., 21 vjeç, K. O., 43 vjeç, A. Dh., 34 vjeç, K. G., 26 vjeç, E. D., 27 vjeç, A. P., 42 vjeç, I. K., 42 vjeç, B. B., 37 vjeç dhe K. K., 42 vjeç”, njofton policia.

Mes të ndaluarve nga policia ishin avokati Altin Goxhaj dhe Kreshnik Osmani, kreu i partisë Atdheu.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të metejshme hetimore.