Shumë shqiptarë të mbledhur në New York kanë protestuar pranë selisë së Organizatës së Kombeve të Bashkuara, duke shprehur kundërshtimin ndaj vendimit të Gjykatës Speciale në rastin ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Protestuesit kanë kërkuar rishikimin e vendimit dhe lirimin e Hashim Thaçit, Jakup Krasniqit, Kadri Veselit dhe Rexhep Selimit.
Në mesin e pankartave gjatë protestës ishin mesazhe si “Drejtësi, jo politikë”, “Lironi heronjtë tanë” dhe “Heronj të luftës e të paqes”.
Në disa prej pankartave protestuesit ngritën edhe çështjen e viktimave civile gjatë luftës në Kosovë, duke kërkuar që përgjegjësit për krimet ndaj civilëve të trajtohen nga drejtësia.
Protesta në New York vjen pas tubimeve të zhvilluara ditët e fundit në Kosovë dhe në disa vende të tjera ku jeton komuniteti shqiptar, përfshirë Kanadanë, Zvicrën, Gjermaninë dhe Austrinë.
Më 16 shtator, Gjykata Speciale shpalli vendimin ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim, për veprat për të cilat u shpallën fajtorë.





