Pas më shumë se dy orë diskutimesh, kryesia e Partisë Socialiste bëri publike një deklaratë përmes të cilës denoncon qëndrimet politike të Kryeministrit në shkollat publike parauniversitare. Deklarata e kryesisë së socialistëve, nënvizon se kryeministri Berisha po shkel në mënyrën më të papranueshme pikat 4 dhe 8 të nenit 32 të ligjit për arsimin parauniversitar, të miratuar me konsensus jo më larg se maji i këtij viti, sipas të cilave arsimi parauniveritar jo vetëm është i depolitizuar, por ndalohet, në mënyrë kategorike, organizimi në këto institucione i veprimtarive partiake, si ato që po zhvillon Sali Berisha. "

Partia Socialiste e ka denoncuar dhe do të vazhdojë ta denoncojë me forcë këtë shkelje flagrante e këtë abuzim me të drejtat më elementare të fëmijëve" theksohet në deklaratët e kryesisë të PS.

Gjatë mbledhjes janë shqyrtuar edhe çështje organizative të Partisë Socialiste, me qëllim fuqizimin e strukturave në bazë në prag të zgjedhjeve të ardhshme politike. Çështjet organizative partiake kanë si synim kryesor plotësimin e strukturave lokale në ato bashki ku ende nuk kanë përfunduar zgjedhjet për kryetar partie në nivel lokal.

Në kryesi është shqyrtuar edhe thirrja e Asamblesë Kombëtare javën e ardhshme, ku pritet të qartësohet forma që do të marrë aksioni i ri politik i Partisë Socialiste në nisje të fushatës të re elektorale.