Grupi i punës që është marrë me ndryshimet në statutin e Partisë Socialiste ka përfunduar hartimin e ndryshimeve që do t’i paraqiten Asamblesë Kombetare dhe Kongresit. Si kryetar i këtij grupi, ato i paraqiti Fatmir Xhafaj, i cili nuk dha detaje, por preferoi të fliste në përgjithësi. Fatmir Xhafaj ndërpreu pushimet e fundjavës për t’u shfaqur para kamerave nga selia e PS. Çfarë e nxorri në foltore Xhafajn ishte përfundimi i ndryshimeve në statutin e Partisë Socialiste, ku pjesa më e rëndësishme ka të bëjë me zgjedhjen e kryetarit. Modifikimi në ketë pike legjitimon atë që ka ndodhur që prej shtatorit te vitit 2013.

Statuti i ri parashikon që, kur partia fiton zgjedhjet, kryetari quhet automatikisht i konfirmuar, ndërsa kur ajo është në opozitë, është anëtarësia që zgjedh drejtuesin përmes parimin 'një anëtar, një votë'. Duke preferuar të mos futej në detaje, Xhafaj nuk tregoi nëse ndryshimet në statut do të jenë pika e parë e rendit të ditës në Kongresin e 19 marsit, një detaj mjaft i rëndësishëm pasi përcakton nëse Kongresi do të vazhdojë punimet me statutin e ri apo atë që është aktualisht në fuqi. Xhafaj pohoi se statuti i ri parashikon rregulla më transparente për financimin e partisë.